Arbëri

Salihu: Pjesën më të madhe të fajit për mos-hulumtimin e krimeve të luftës e kanë ndërkombëtarët

Profesori i së drejtës penale, Ismet Salihu, ka thënë se pjesën më të madhe të fajit për mos-hulumtimin e krimeve të luftës nga serbët e kanë ndërkombëtarët, përkatësisht UNMIK-u e EULEX-i.

Megjithatë, Salihu thotë se as vendorët nuk kanë bërë aq sa duhej bërë për hulumtimin e krimeve të luftës.

“Kjo është çështje komplekse. Deri në vitin 2014, tërë kompetencën, të drejtën për të bërë hulumtime dhe procedimet e kryerësve të krimeve të luftës kanë qenë ndërkombëtarët. Organet tona nuk kanë pas të drejtë të hetojnë. Pjesën më të madhe të fajit për mos-hulumtimin e krimeve të luftës e kanë ndërkombëtarët, përkatësisht organet e policisë, gjyqësisë të UNMIK-ut e pastaj të EULEX-it. Pas vitit 2014, i ka kaluar kompetenca Prokurorisë së Kosovës, por është dashur të formohet një Gjykatë për krime të luftës. Ka qenë edhe neglizhencë e organeve tona të ndjekjes. Është dashur të bëhet reformë në sistemin e drejtësisë për këtë çështje menjëherë pas vitit 2014. Me reformë dua të them që duhet të ishin diku 12-13 prokurorë, që do të kishin edhe ekipin e hetimeve, për hulumtimin e krimeve të luftës. Nuk është bërë ajo punë që duhet bërë”, ka thënë Salihu në “60 Minuta” të KTV-së.

Salihu i ka quajtur “heroina të pasluftës” gratë e Shoqatës për Krimet e Luftës "Gjakova 98’99”, të cilat sot njoftuan se kanë ngre padi ndaj tre serbëve për dhunimin seksual e një viktime.

“Kjo Shoqatë me vite të tëra merret me hulumtimin e krimeve të luftës. Këto mund t’i quajë edhe heroina të pasluftës. Gjithë Kosova ka qenë viktimë e krimeve të paramilitarëve serbë. Regjioni i Dukagjinit ka qenë më i prekur, më i sulmuar. I përgëzoj këto gra që kanë bërë këtë punë të madhe. Sipas kodit të Procedurës Penale, çdo qytetar ka të drejtë që t’i lajmërojë krimet e luftës. Këto janë duke përmbush një obligim shoqëror, etik, moral por edhe kombëtar, që mjerisht ne si shtet në këtë aspekt shumë kemi dështuar”, ka shtuar tutje Salihu.

Ai bëri thirrje që Qeveria ta themelojë sa më shpejt Institutin për Krime të Luftës, që ishte pjesë e programit të Lëvizjes Vetëvendosje para zgjedhjeve të 14 shkurtit 2020.