Arbëri

Dizajni i NEWBORN-it sivjet i kushtohet fuqisë së grave

Descriptive Text

Ideatori i monumentit NEWBORN, Fisnik Ismaili, ka dhënë sinjalin e parë se si do të mund të duhet ky monument në 14 vjetorin e pavarësisë së Kosovës. Sikur çdo vit në prag të festës së Pavarësisë së Kosovës, monumenti pritet të marrë pamje të re. Këtë herë, Ismaili ka paralajmëruar se monumenti do të ketë për kryefjalë fuqinë e grave.

E fuqia e grave ka qenë fraza më e përdorur në vitet e fundit. Më 2021, ajo u përdor më së shumti për suksesin e jashtëzakonshëm të Distria Krasniqit dhe Nora Gjakovës në Lojërat Olimpike, që Kosovës ia sollën dy medalje të arta në xhudo.

Krenaria me sukseset e grave nuk u ndal vetëm te sporti. Aktorja Yllka Gashi dhe regjisorja Blerta Basholli arritën që me filmin “Zgjoi” t’i afrohen nominimit në Oscar, ndërsa morën disa shpërblime të vlerësuara në botën e filmit.

Sukseset nuk iu munguan as dy superyjeve Rita Ora e Dua Lipa.

Një yll i ri u lind së voni. Kiana Kryeziu u bë skitarja e parë që përfaqësoi Kosovën në Lojërat Olimpike Dimërore.

“NEWBORN14 është për fuqinë e grave”, ka shkruar shkurt në Facebook Ismaili duke mos dhënë detaje tjera.

Shtatë shkronjat e monumentit që simbolizon Pavarësinë e Kosovës vazhdojnë të mbesin atraksion për qytetarët në çdo përvjetor.

Përmes artit, tash e sa vjet “NEWBORN”-i bart mesazhe të ndryshme, falënderime e protesta.

Monumenti, ani pse ka ndryshuar pamje disa herë, vetëm tri herë u është mundësuar qytetarëve që të lënë shenjat e tyre.

Për herë të parë u ishte lejuar në vitin 2008, më 17 Shkurt, kur u bë inaugurimi i obeliskut që menjëherë ishte shndërruar në brend.

Edhe në shkurt të vitit 2015 ishin ftuar qytetarët që ta ngjyrosnin si të donin. Asokohe, ndër të tjera, E-ja u bë e zezë, e këtë autori e kishte lidhur me eksodin, Evropën, ekonominë e EULEX-in.

Hera e tretë ishte në vitin 2019, kur ngjyrosja u ishte lënë plotësisht në dorë të rinjve sipas dëshirës së tyre, si mesazh për lirinë e shprehjes.

Vitin e shkuar monumenti u mbulua me mesazh për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

“NEWBORN” disa herë ishte në vëmendje të mediave ndërkombëtare. Por që promovimi më i mirë iu bë përmes këngëtares Rita Ora, e cila mbi të realizoi disa pjesë të vidoklipit të një kënge të lansuar gjatë vitit 2012.

Monumenti që simbolizonte lindjen e një shteti të ri u vendos në qendër të Prishtinës më 17 Shkurt 2008, në ditën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.