Arbëri

Basha: Shqipëria e ka detyrë të përhershme shtyrjen përpara të Kosovës

Descriptive Text

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka takuar sot kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Bashën, ku kanë diskutuar për zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe Shqipëri dhe thellimin e bashkëpunimit mes PDK-së dhe PD-së.

Krasniqi ka thënë se dy vendet kanë shumë sfera ku ka nevojë të intensifikojnë bashkëpunimin që të rrisin koordinimin institucional. Ka thënë se “bashkpunimin Kosovë - Shqipëri, Shqipëri - Kosovë e kemi të padiskutueshëm dhe prioritet të prioriteteve”.

Ndërkaq, kryetari i PD-së, Lulzim Basha, foli për dialogun Kosovë-Serbi për të cilin tha se qëndron për njohje të ndërsjellë.

"Natyrisht, folëm për zhvillimet e fundit, në veçanti sa i takon zhvillimeve të dialogut midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë, ku PDK qëndron fuqimisht në të njëjtin pozicion sa i takon objektivit të këtij dialogu, që është njohja e ndërsjellë mes dy vendeve dhe në veçanti ndan pikëpamjen se rikthimi i një koordinimi të fuqishëm mes shteteve të BE dhe SHBA është një shancë e mirë për të shtyrë përpara këtë dialog dhe për të tejkaluar pengesat, ku sigurisht një barrë e madhe i përket BE-së dhe 5 vendeve anëtare, njohja prej të cilave e realitetit të Republikës së Kosovës do të shmangë përfundimisht çdo skenar si ato në Bosnje Hercegovinë që kërcënojnë arkitekturën e paqes dhe stabilitetit në Ballkan, por edhe vetë paqen dhe stabilitetin europian", tha ai.

Basha ka thënë se detyra e Shqipërisë si anëtare në Këshillin e Sigurimit është që ta shtyjë përpara çështjen e Kosovës.

"Ndërkohë Shqipëria ka një detyrë të përhershme, por në momentin aktual edhe më të rëndësishme si anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit të shtyjë me të gjitha forcat dhe mënyrat përpara çdo aspekt që ka të bëj me Kosovën dhe qytetarët e saj, në veçanti në vazhdimin e njohjes ndërkombëtare, atë të anëtarësimit në institucionet ndërkombëtare dhe Partia Demokratike këtu jo vetëm që nuk do të rreshtë së shtyeri jo vetëm nga pozitat e opozitës aktualisht, por edhe nuk do të kursejë asgjë që Shqipëria të japë gjithçka që mundet në mënyrë që Kosova të ketë benefitet maksimale të një bashkëpunimi të vërtetë, të ngushtë dhe produktiv midis Shqipërisë dhe Kosovës në rrafshin politik dhe ekonomik.", tha ai.