Arbëri

Infermierët paralajmërojnë protesta deri në grevë e bllokim total të sistemit shëndetësor

Descriptive Text

Sindikata e Infermierëve ka paralajmëruar protesta deri në grevë për pakënaqësinë lidhur me pakënaqësitë me koeficientin e ulët të infermierëve, mamive dhe profesionistët shëndetësorë.

Në një komunikatë për media ka thënë se rangimi në koeficient të ulët i bën të diskriminuar këto kategori.

“Bazuar në shtojcë mjekët janë të ranguar me koeficient 10.1, Psikologët klinik 7, Logoped, Teknik të Radiologjisë, Fizioterapeut dhe Mjekësi sanitare 6, kurse infermierët me koeficient 4.7, 4.6, 3.8 dhe 3.7. Duke mos e ditur vlerën e një koeficienti sipas kësaj shtojce, mirëpo duke i njohur pagat aktuale me vlerën aktuale të koeficientit për kategoritë e lartëpërmendura shihet haptazi diskriminimi, anashkalimi dhe injorimi total i kërkesave të infermierëve, thuhet aty.

Sindikata ka shtuar se për infermierët është zhvlerësim i profesionit. Prandaj, nga e hëna tha se do të mbledhë strukturat për të koordinuar aktivitetet dhe masat sindikale.

“Sindikata e Infermierëve të Kosovës do konsultoj organet e saja drejtuese, shoqata dhe institucionet tjera përfaqësuese dhe secilin infermier, mami dhe profesionist tjerë shëndetësor për organizimin e një marshi protestues ku do ftohen të gjithë infermierët, mamitë dhe profesionistët tjerë shëndetësor nga e gjithë Kosova, duke vazhduar me protesta ditore, deri në greva dhe bllokim total të sistemit shëndetësor”.

Sindikata e Infermierëve të Kosovës ka kërkuar koeficientin 7 për të gjithë infermierët, mamitë dhe profesionistë tjerë shëndetësorë pa dallim.