Arbëri

Qeveria pret kontribut të Peachit në sigurinë rajonale

Zëvendëskryeministri i Parë për Dialog, Zhvillim dhe Integrim Evropian, Besnik Bislimi, ka pritur sot në takim të Dërguarin Special të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach dhe Ambasadorin e Britanisë në Kosovë, Nicholas Abbott. Me këtë rast u theksua se angazhimi i Emisarit të Mbretërisë së Bashkuar, Sir Stuart Peach mirëpritet nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe si njohës i mirë i rajonit, Peach do të kontribuojë pozitivisht në sigurinë rajonale dhe rritjen e bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Gjithashtu zëvendëskryeministri Bislimi dhe Emisari i Mbretërisë së Bashkuar shprehën gatishmërinë për forcimin e mëtejshëm të lidhjeve mes dy vendeve, në fusha dhe sektorë të ndryshëm.

I dërguari Special i Mbretërisë së Bashkuar, Sir Stuart Peach shprehu gatishmërinë e tij në bashkëpunimin me autoritetet në Kosovë si dhe mbështetjen për procesin e dialogut dhe ndaj partnerëve të BE dhe SHBA.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri Bislimi ritheksoi parimet e rëndësishme të dialogut, duke treguar njëkohësisht se çfarë presim ne si shtet nga ky proces.