Arbëri

Deputetëve “u lehtësohet” mënyra e dhënies dorëheqje

Ish-kandidati për deputet të Kuvendit të Kosovës, Avni Klinaku, në një shkrim në Facebook, “ua ka bërë më të lehtë” mënyrën e dhënies së dorëheqjes deputetëve aktualë. Ai ka prezantuar një formular të dorëheqjes, pasi u publikuan shpenzimet enorme të deputetëve që kanë përfituar nga kompensimi për udhëtime.

Me formularin e publikuar, ish-kreu i Lëvizjes për Bashkim ka thënë se po përpiqet t’u ndihmojë pak deputetëve për atë që ka munguar për dy dekada në Kosovë.

“Ky ‘formular’ është një ndihmesë e vogël për të gjithë ata deputetë, të cilët vetëm ‘nuk po dinë’ dhe ‘nuk po u bie në mend’ institucioni i dorëheqjes, i munguar për dy dekada në Kosovë. Formulari vlen për anëtarët e të gjitha partive politike!”, ka shkruar ish-kandidati për deputet në Facebook.

Pos dorëheqjes, në “formular”, Klinaku ka propozuar edhe kthimin e të gjitha mjeteve.

Pas publikimit të kompensimeve që kanë marrë, deputetët e Vetëvendosjes vendosën të heqin dorë nga përfitimet, ndërsa kjo çështje pritet të diskutohet në Kryesi të Kuvendit javën e ardhshme, pas presionit të madh publik.

Propozimi i Klinakut:

Formulari i dorëheqjes

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës!

Unë, deputeti i Kuvendit të Kosovës, X, Y jap dorëheqje të pakthyeshme nga pozita e deputetit të Kuvendit të Kosovës.

Kur jam regjistruar si deputet i Kuvendit e kam plotësuar formularin, në të cilin kërkohej të shkruhej vendbanimi im dhe unë edhe pse banoj në kryeqytet e kam shkruar X qytetin e Kosovës si vendbanim. Në bazë të kësaj në xhirollogarinë tim janë derdhur xx.xx euro, për të cilat unë kam heshtur deri sa kjo çështje u bë publike. Kjo, duke e dëmtuar buxhetin e Kosovës, përbën edhe një shkelje moral nga ana ime. Vendimi i viti 2011 për pagesën e udhëtimeve (i mirë apo i keq qoftë) nuk më shfajëson mua, prandaj:

  1. Jap dorëheqje të menjëhershme nga pozita e deputetit, dhe
  2. Të gjitha mjetet e përvetësuara padrejtësisht do t’i kthej në buxhetin e Kuvendit.

Të gjithë qytetarëve të Republikës e veçanërisht anëtarëve të Partisë sime u kërkoj falje publike për shqetësimet që ua kam sjellë.