Arbëri

Parashikohet zvarritja e konstituimit të Kuvendit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, do ta ftojë seancën konstituive të Kuvendit në bazë të afateve ligjore dhe kushtetuese. Këtë e kanë bërë të ditur për KosovaPress zyrtarë të Presidencës së Kosovës.

Mirëpo, monitoruesit e punës së Kuvendit, thonë se konstituimi i Kuvendit do të varet krejt nëse koalicioni PAN i ka numrat për formimin e Qeverisë dhe se mund të ketë zvarritje të konstituimit të Kuvendit, pasi ai konsiderohet i konstituuar vetëm atëherë kur zgjidhet kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit.

Në bazë të Kushtetutës së Kosovës, nenit 66, pikës 1, Kuvendi i Kosovës zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda tridhjetë ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve.

Zyra për media e Presidencës, në një përgjigje me shkrim për KosovaPress, nuk ka specifikuar se kur do ta thërrasë seancën konstituive, porse ka bërë me dije se për këtë do të respektohen afatet ligjore dhe kushtetuese.

“Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi do të respektojë të gjitha afatet ligjore dhe kushtetuese gjatë procesit të krijimit të institucioneve të reja, të dala nga zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për media të Presidencës.

Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, që monitoron punën e Kuvendit, shpjegon se si duhet konstituuar Kuvendi i Kosovës.

“Pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve nga ana e KQZ-së, presidenti i ka 30 ditë në dispozicion për ta ftuar seancën konstituive të Kuvendit. Dhe në rast se presidenti nuk e fton seancën, atëherë deputetët mund të mblidhen vetë pa pasur nevojë për një ftesë nga ana e presidentit. Kryesia e vjetër e Kuvendit është e obliguar që të bëjë të gjitha përgatitjet për seancën konstituive dhe këtë duhet ta bëjë në bashkëpunim me të gjithë kryetarët e subjekteve politike që janë të përfaqësuara në Kuvend. Seanca konstituive duhet të udhëhiqet nga deputeti më i vjetër i ndihmuar nga deputeti më i ri deri në momentin e zgjedhjes së kryetarit të ri të Kuvendit. Partia që ka fituar shumicën në Kuvend, pra ka dalë i pari nga këto zgjedhje, ka të drejtën e propozimit të kandidatëve për kryetar të Kuvendit në mesin e 120 deputetëve që janë të zgjedhur. Ky kandidat për t’u zgjedhur duhet t’i marrë shumicë n e votave të deputetëve së paku 61 vota në mënyrë që të zgjidhet kryetar i Kuvendit”, tha Krasniqi.

Në rast se kryetari nuk zgjidhet në raundin e parë, sipas Krasniqit, edhe në raundin e dytë përsëri kandidati propozohet nga i njëjti subjekt politik.

Mirëpo, Krasniqi thotë se Kuvendi konsiderohet i konstituuar vetëm në momentin e zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarit, dhe jo në momentin e dhënies se betimit nga deputetët. Sipas tij, mund të ketë zvarritje të konstituimit të Kuvendit, nëse nuk zgjidhet kryetari dhe nënkryetarët në seancën e parë kur ta thërret presidenti.

“Shumë do të varet se a do t’i kenë numrat e nevojshëm subjektet politike në Kuvend për ta formuar qeverinë dhe shpejtësia me të cilën do të konstituohen institucionet e reja. Në rast se koalicioni PAN atëherë mund të ketë zvarritje dhe seanca konstituive mos të thirret deri në 30 ditë nga presidenti. Më pastaj që të propozohen vazhdimisht kandidat të ndryshëm për kryetar të Kuvendit në rast se deputetët tjerë nuk e përkrahin ato propozime që vijnë nga koalicioni PAN dhe këtu mund të ketë një zvarritje të gjatë të konstituimit të Kuvendit në rast se partitë tjera nuk e përkrahin atë kandidat që propozohet nga PAN”, tha Krasniqi.

Ai këtë e sheh pasojë, e cila ka rrjedhë nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, pasi e quan të pakuptimtë që t’iu imponohet vetëm një kandidat i vetëm një subjekti politik për kryetar të Kuvendit.

Pas konstituimit të Kuvendit, në bazë të nenit 95 të Kushtetutës së Kosovës, pikës 1, presidenti i Republikës së Kosovës i propozon Kuvendit kandidatin për kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë.

Ndërsa, pika 2 e po të njëjtit nen, Kandidati për Kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit.

Sipas pikës 3 të nenit 95, Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Derisa, pika 4 e nenit 95 thotë se, nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, presidenti i Republikës së Kosovës, brenda dhjetë ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë.

“Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet ditë nga dita e shpalljes së tyre”, thuhet më tutje në pikën 4.