Arbëri

Zyrtarja e MPJ-së thotë se nuk u shkarkua. Nuk ktheu përgjigje me kohë

Ish-zëvendësja e sekretares së MPJ-së, Elmaze Pireva, ka reaguar ndaj stories në KTV, të datës 25 janar, duke pretenduar se nuk i është ofruar mundësia për të dhënë sqarime, pavarësisht faktit që KOHA ka dërguar emaila me pyetje në MPJ dhe te vetë ajo, më shumë se 24 orë para transmetimit.

Theksi i stories ka qenë tejkalimi i shpenzimeve në qiranë e banimit nga ana e Pirevës gjatë mandatit të saj si diplomate në Londër.

Megjithatë, Pireva në reagim ka vënë theksin te cilësimi i saj në storie si zyrtare e shkarkuar, duke e demantuar këtë cilësim me arsyetimin që nga pozita, të cilën e ka marrë pas kthimit nga Londra, si zëvendës-sekretare e MPJ-së, ajo nuk është shkarkuar, por është liruar me kërkesë të saj.

Në reagim, Pireva ka thënë se Udhëzimet Administrative i kanë dhënë sekretarit të përgjithshëm kompetenca që të lejonte tejkalime të limitit në buxhet.