Arbëri

Kusari-Lila thotë se brenda VV-së është diskutuar më herët heqja dorë nga kompensimet

Çështje të përgjegjësisë individuale dhe politike i ka cilësuar shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, mashtrimet e mundshme të deputetëve për vendbanimin e tyre vetëm që të përfitojnë nga kompensimi i udhëtimit. Në emisionin “60 Minuta” në KTV, ajo ka thënë se Vetëvendosje qysh para disa muajsh ka diskutuar për ndryshimin e praktikave dhe zvogëlim të shpenzimeve. Megjithatë, sipas saj, në këtë grup parlamentar është diskutuar se a duhet të pritet trajtimi i Ligjit për Paga apo të merret vendim në Kryesi të Kuvendit.

E vendimin e sotëm të kësaj partie që deputetët të mos përfitojnë nga kompensimi i udhëtimit, pas publikimit të shumave përfituese, Kusari-Lila e ka arsyetuar si reflektim të secilit deputet.

Ajo ka thënë se vendimi është “pjesë e procesit të ndryshimit”.

“VV-ja ka më pak se një vit në pushtet. Në kuadër të këtij procesi ka shumë gjëra që duhen korrigjuar. Ka edhe gabime, s’themi që jemi të pagabueshëm apo se gjithçka ka shkuar vaj. Janë probleme të sistemit, të realizimit apo të pritjeve më të mëdha sesa mundësitë për të bërë ndryshimin dhe kjo është në kuadër të tyre se përveçse rritet transparenca dhe është edhe opinioni publik që mësohet se kur ka procedura që mund të merren vendime në të mirë të tyre, merren ato vendime”, ka thënë ajo teksa ka shtuar se deputetët “janë makineria e fundit e ndryshimit, pas zvogëlimit të shpenzimeve në Qeveri, Presidencë e Kryesi të Kuvendit”.

Duke folur për vendimin për heqje dorë nga kompensimet, Kusari-Lila ka thënë se VV-ja “s’do të ndalet me kaq”.

Ajo është ankuar në kushtet e punës së deputetëve duke thënë se asnjë prej tyre s’ka as zyrë.

Kusari-Lila ka thënë se ndryshimi kërkon kohë dhe presionin publik e ka cilësuar si standard të ri të cilin e ka kërkuar vetë VV-ja.

Sipas saj, çështja e kompensimeve do të shqyrtohet qysh të hënën në Kryesi të Kuvendit. Ajo ka thënë se kompensimet do të reflektohen në Ligjin për Paga që do të dalë para deputetëve për shqyrtim në muajin mars. Ka shtuar se pret që edhe partitë tjera të veprojnë njëjtë.