Nesër nis Samiti i Triestes, në agjendë raportet midis vendeve ballkanike

Nesër nis Samiti i Triestes, në agjendë raportet midis vendeve ballkanike

11 July 2017 13:17

Lajmi i fundit që vjen nga qeveria e Romës është se Samiti i Triestes pritet të nisë me një takim trepalësh mes kancelares gjermane Merkel- Presidentit francez Macron e kryeministrit italian Gentiloni, transmeton oranews njoftimet.

Tema kryesore e këtij takimi e kërkuar fortësisht nga Italia është kriza e emigrantëve në brigjet italiane.

Trembëdhjetë krerë shtetesh e qeverish së bashku me ministrat përkatës të punëve të jashtme, të ekonomisë, të transportit, si dhe komisionerja e lartë e Çështjeve të Jashtme e të Sigurisë për Bashkimin Europian Federica Mogherini, së bashku me komisionerin për Zgjerimin e BE, Johannes Hahn, komisioneren për transportin Violeta Vulc, si dhe me drejtuesit më të lartë të organizatave botërore e bankave të zhvillimit priten të marrin pjesë në Samitin e vendeve të Ballkanit Perëndimor që do të zhvillohet nesër, më datë 12 korrik në qytetin e Triestes.

Objektivi i këtij Samiti është integrimi i vendeve të Ballkanit Perendimor në Bashkimin Europian i nisur që me Procesin e Berlinit më vitin 2014, me Samitin e Vjenës më 2015 e me takimin e Parisit më 2016.

Delegacionet qeveritare të vendeve të Ballkanit Perëndimor të Shqipërisë, Kroacisë, Kosovës, Maqedonisë, Bosnje- Hercegovina, Serbisë, Malit të Zi si dhe të vendeve anëtare të BE do të mblidhen në Samitin e Triestes në 3 seksione paralele; seksioni i krerëve të shteteve e përfaqësuesve të ekzekutivit të çdo vendi pjesëmarrës; seksioni i takimit të ministrave të jashtëm dhe seksioni ekonomik me pjesëmarrjen e ministrave të financave e të ekonomisë së vendeve të Ballkanit Lindor.

Agjenda e këtij Samiti parashikon marrjen në diskutim të situatës së përgjithshme në vendet si Maqedoni, Kosovë e në Bosnjë-Hercegovinë, raportin mes vendeve anëtare të BE e atyre që aspirojnë të marrin statusin e vendit kandidat, perspektivat e integrimit europian për mjaft prej vendeve të Ballkanit Perëndimor, kriza e emigrantëve e problematika e rrugës ballkanike, çështja e sigurisë, zhvillimi ekonomik në këto vende e roli i sipërmarrjeve të vogla e të mesme në zhvillimin ekonomik të tyre.

Informacionet e fundit që vijnë nga Kryeministria italiane konfirmojnë se Samiti pritet të nisë me takimin trepalësh Merkel-Macron-Gentiloni ku çështja më e nxehtë që do të merret në diskutim është ajo e emigracionit.

Në prag të këtij Samiti qytetit i Triestes prej ditës së sotme është i blinduar nga një plan special sigurie.

“Do të jenë dy ditë intensive e impenjative për Triesten, por jam e sigurt se qyteti do të dalë si protagonist fitues” kështu ka deklaruar para gazetarëve prefektja e qytetit të Triestes, Annapaola Porzio, e cila së bashku me kryetarin e Bashkisë Roberto Dipiazza kanë ilustruar para mediave programin e zhvillimit të këtij Samiti si dhe planin e masave të larta të sigurisë.

Mbi 1000 forca të rendit e të ushtrisë do të mbikëqyrin më datat 11-12 korrikut qytetin e Triestes.

Zona përreth territorit ku pritet të zhvillohet Samiti do të jetë e mbyllur për trafikun si dhe territori përreth hoteleve kryesore ku mikpriten delegacionet e vendeve pjesëmarrës do të rrethohet nga disa kordonë policie.

Do të limitohet gjithashtu dhe lundrimi i mjeteve detare e 3 molet kryesore të qytetit do të qëndrojnë të mbyllura.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme