Arbëri

“Ballkani i hapur” me efekte negative te prodhuesit e Shqipërisë

“Me procedimin e ‘Ballkanit të hapur’, Serbia nuk ka interes të furnizojë më me qumësht Shqipërinë, sepse çmimi i qumështit si lëndë e parë te fermerët shqiptarë kapërcen çdo lloj logjike të çmimit. Serbia e ka shumë më të lehtë që ta përpunojë dhe të sjellë në Shqipëri produktet e përpunuara të qumështit dhe të bulmetit”, ka thënë Nikolin Jaka, kryetar i Dhomës së Industrisë e Tregtisë në Tiranë

”Ballkani i hapur” ka dhënë efektet e para negative te prodhuesit vendas në Shqipëri, kryesisht në industrinë e qumështit, ku ata konkurrohen fort nga Serbia. Sipërmarrësit e industrisë së përpunimit të qumështit paralajmërojnë falimentim dhe kërkojnë nga Qeveria të marrë masa të menjëhershme dhe emergjente.

Me procedimin e “Ballkanit të hapur”, sipas përfaqësuesve të kësaj industrie, Serbia nuk ka interes të furnizojë më me qumësht Shqipërinë, pasi i krijohen lehtësira të sjellë në Shqipëri produktet e përpunuara të qumështit dhe të bulmetit. Importi i qumështit në Shqipëri, tregojnë statistikat, ka arritur në nivelin më të lartë në pesë vjetët e fundit. Nga 475 mijë gjedhe që numëroheshin në vitin 2017, numri i tyre u reduktua në 363 mijë në vitin 2020. Ndërkohë që po në të njëjtën periudhë, qumështi i grumbulluar është reduktuar me 19 mijë tonë. Kjo ka bërë që kompanitë përpunuese t’i drejtohen importit, kryesisht Serbisë. Vetëm në vitin 2021, sipas të dhënave të INSTAT (Instituti Shqiptar i Statistikave) u blenë nga jashtë produkte të bulmetit me vlerën e 38.5 milionë eurove, shifra më e lartë e pesë vjetëve të fundit.

“Jemi në kushtet kur Qeveria shqiptare duhet të marrë masa të menjëhershme emergjente për të ndërhyrë te fermat shqiptare për të subvencionuar, ashtu siç i subvencionon Serbia dhe nga ana tjetër për të rritur cilësinë e qumështit që ato ferma prodhojnë”, deklaroi Nikolin Jaka, kryetar i Dhomës së Industrisë e Tregtisë në Tiranë, njëherësh edhe sipërmarrës në industrinë e përpunimit të qumështit “Zepa”.

Përfaqësuesit e kësaj industrie i druhen faktit se në një moment Serbia nuk do të mjaftohet vetëm me furnizimin e lëndës së parë, por do të sjellë produktin e gatshëm për konsumatorin shqiptar.

“Risku është jashtëzakonisht i madh që industria e përpunimit të qumështit në Shqipëri ose do të shkojë drejt falimentimit, ose do të ketë rrugëzgjidhje të tjera të cilat janë afatshkurtra. Me procedimin e ‘Ballkanit të Hapur’, Serbia nuk ka interes të furnizojë më me qumësht Shqipërinë, sepse çmimi i qumështit si lëndë e parë te fermerët shqiptarë kapërcen çdo lloj logjike të çmimit dhe Serbia e ka shumë më të lehtë që ta përpunojë dhe të sjellë në Shqipëri produktet e përpunuara të qumështit dhe të bulmetit”, argumentoi Nikolin Jaka.

Në dekurajimin e fermerëve të vegjël për të pasur bagëti kanë ndikuar edhe ndryshimet e vazhdueshme të skemës së kompensimit të TVSH-së. Donjaldo Hoxha, nga Shoqata e Industrisë së Përpunimit të Qumështit, sqaron pse gjithnjë e më shumë kjo industri po i drejtohet Serbisë për të importuar qumësht. Hoxha evidentoi mungesën e prodhimit vendas të qumështit, ndërsa theksoi si më kryesoren çmimin më të ulët të këtij produkti në vendet e rajonit.

“Kërkesa e tregut është dinamike dhe sezonale. Në muajt e verës kur kemi rritje turizmi, ne duhet t’i drejtohemi importit për lëndën e parë. Por duhet përmendur se çmimi i qumështit në Serbi është 15-20% më i lirë se në Shqipëri. Në Shqipëri, qumështi lëviz nga 50-52 centë. Në vendet e rajonit ai lëviz nga 32 deri në 36 centë. Ky ndryshim çmimi vjen, në radhë të parë, për shkak të politikave subvencionuese që vendet e rajonit kanë për sektorin e blegtorisë. Kjo bën që fermeri shqiptar të jetë i disavantazhuar në krahasim me fermerin e rajonit”, ka thënë Hoxha.

Qeveria e Shqipërisë ka miratuar marrëveshjen ndërmjet Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Serbisë, për njohjen reciproke të operatorëve ekonomikë të autorizuar-autorizimet për sigurinë dhe mbrojtjen (OEAS), pikë kjo e dakordësuar në nismën e “Ballkanit të hapur”. Ndërmjet Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë është rënë dakord që kontrollet kufitare të hiqen nga 1 janari i vitit 2023. Po ashtu është planifikuar që gradualisht të krijohet një treg i përbashkët për 12 milionë banorë, aq sa kanë banorë këto tri shtete së bashku - pra të krijohet një “zonë e vetme ekonomike”.