Arbëri

Hoxhaj: Amerikanët e evropianët, të koordinuar si asnjëherë më parë për dialogun

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se që një kohë të gjatë nuk ka pasur koordinim më të madh mes SHBA-së e BE-së sa i përket çështjes së dialogut Kosovë-Serbi, dhe mbylljes së tij sa më shpejt me një marrëveshje e cila do të çonte në njohje të ndërsjellë.

Hoxhaj ka thënë në “DESKU” të KTV-së se pret që viti 2022 të jetë një vit vendimarrës për Kosovën.

“Mendoj që është një qasje e mirë e mirëfilltë dhe kam një përshtypje që amerikanët dhe evropianët e kanë goxha pernime që ta mbyllin temën e fundit të hapur në Ballkan që prej shpalljes së Pavarësisë. Nuk ka pasur moti koordinim të tillë amerikan dhe evropian. Amerikanët dhe evropianët janë të koordinuar sa i takon jo vetëm Kosovës por edhe çështjeve të tjera në rajon. Është një shancë që nuk duhet ta humbim”, ka thënë Hoxhaj.

Ai ka shtuar se para afërsisht 10 vjetësh ka qenë më lehtë e mundshme një marrëveshje Kosovë-Serbi.

“Unë nuk mendoj që çështja e dialogut Kosovë-Serbi, një marrëveshje për njohje të ndërsjellë në hierarkinë e temave ndërkombëtare mund të jetë tema më e komplikuar e mundshme. Mendoj që në vitet 2014, 2015 dhe 2016 ka qenë më lehtë e mundshme se në vitin 2022, por frika ime është se në 2025-tën mund të jetë më vështirë. Një ndryshim i rrethanave ndërkombëtare nuk do të thotë se do të kishte pasoja të mëdha direkte në raport me pavarësinë e Kosovës se ne jemi shtet i pavarur dhe do të jemi çdo herë”, ka shtuar Hoxhaj.