Arbëri

Presioni për Asociacionin

Descriptive Text

Me kërkesën që Prishtinës zyrtare t’i bëhet presion në zbatimin e Marrëveshjes për Asociacionin, janë ballafaquar në Beograd emisari amerikan dhe ai evropian për dialogun Kosovë-Serbi.

Në takimet që kanë vazhduar edhe të enjten, Miroslav Lajçak dhe Gabriel Escobar kanë takuar shefin e diplomacisë serbe, kryeministrin dhe kryetarin e Kuvendit të Serbisë.

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Nikola Selakoviq, ka thënë se Prishtina nuk e ka përmbushur pjesën kryesore të marrëveshjes së Brukselit, që, sipas tij, është Asociacioni.

Kurse kryetari i Parlamentit serb është cituar të ketë thënë se “diplomatët euro-amerikanë e kanë siguruar se në takimet e zhvilluara në Prishtinë kanë dërguar mesazh të qartë se Asociacioni duhet të formohet.

Por eksperti amerikan për çështjen e Ballkanit, Daniel Serwer, thotë se nuk duhet nxituar me themelimin e Asociacionit pa u përmbushur disa parakushte.

“Mendoj se ka rrezik nga një mekanizëm i tillë për aq kohë sa Serbia nuk e njeh Kosovën dhe nuk ia pranon sovranitetin dhe territorialitetin e saj. Asociacioni është diçka që e dëshiron më shumë Beogradi, derisa Kosova e dëshiron më shumë e njohjen. Prandaj ato duhet zgjidhur bashkërisht. Asociacioni duhet të jetë në përputhje me kushtetutën e Kosovës dhe mos t’i jepen kompetenca ekzekutive. Nëse ka njohje ato kompetenca nuk mund të vishen. Prandaj nuk shoh ndonjë urgjencë sa i përket asociacionit dhe nuk pajtohen me shumë zyrtarë amerikanë dhe evropianë që insistojnë në të”, ka deklaruar Daniel Serwer, ekspert amerikan për Ballkanin.

Përpara se ta vizitonin Beogradin, Lajçak e Escobar qëndruan për tri ditë në Kosovë.

Gjatë takimeve me udhëheqësit institucionalë dhe përfaqësues të subjekteve, ata ishin më të prerë lidhur me marrëveshjet e pazbatuara deri më tani, me theks të veçantë në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Që të dy përfaqësuesit siguruan se nuk do të lejojnë krijimin e një republike serbe brenda Kosovës, por kërkuan zbatimin e marrëveshjes së arritur.

Por zyrtarë të Qeverisë së Kosovës përjashtuan mundësinë e themelimit të Asociacionit, teksa nuk munguan as akuzat për njëanshmëri nga ana e Bashkimit Evropian.