Arbëri

Fëmijët me sindromën “Down” diskriminohen qysh në kopshte

Fëmijët me sindromën “Down” diskriminohen qysh kur prindërit tentojnë t’i dërgojnë në kopshte, e ka raste kur ky diskriminim ka ndodhur edhe në momentin e lindjes, ka thënë Sebahate Hajdini-Beqiri, drejtoreshë e shoqatës “Down Syndrome Kosova”.

Në “60 Minuta” të KTV-së, Hajdini-Beqiri ka thënë se në shoqatë marrin vazhdimisht ankesa për ngjarje diskriminuese ndaj fëmijëve me këtë sindromë.

“Shoqata është themeluar në vitin 2007 dhe nëse e analizojmë periudhën kohore, ka pasur shumë ankesa dhe ngjarje diskriminuese nëpër të cilat kanë kaluar prindërit e fëmijëve me Sindromin Down. Kemi rast kur nënat nuk janë trajtuar mirë brenda klinikës ku ka lindur fëmija. Kemi shumë raste kur profesionistët e fushës e kanë interpretuar lajmin jo në mënyrë profesionale tek nënat, duke u thënë se ky fëmijë nuk mund të arrijë, nuk ka jetëgjatësi. Kemi edhe raste të tjera kur qoftë edhe me ndonjë aktivitet kanë tentuar që t’i largojnë fëmijët e tjerë. Kemi raste kur një sjellje, që nëse ajo sjellje do të ishte bërë nga një fëmijë tipik nuk do të ishte temë e diskutimit”, është shprehur ajo.

Drita Meta, nënë e fëmijës me sindromin Down ka thënë ndërkaq se një ndër sfidat më të mëdha ka qenë kyçja e vajzës së saj në shkollat e rregullta.

“Një ndër sfidat më të mëdha ka qenë kyçja në shkollat e rregullta, për të cilat mendoj së është një hap që është hedhur pa u menduar mirë. Pa mbështetjen e nevojshme nuk është e realizueshme mirë. Vajza ime tani është 17-vjeçare dhe ka vijuar mësimin e rregullt në shkollën “Dardania”. Tri kopshte nuk e kanë pranuar Elitën. Pranimi në shkollë nuk ka qenë i vështirë, por edukimi ka qenë i vështirë. Më është dashur që ta paguajë një asistente private”, ka thënë Meta.

Ajo ka shpjeguar një rast kur në tentim për ta regjistruar vajzën e saj me sindromën “Down” në kopsht, dhe një nga edukatoret i ka thënë se nuk pranojnë fëmijë të sëmurë.

Ky diskutim ka ardhur pas rastit të vajzës me sindromën “Down”, Ëmbla Ademi nga Gostivari, e cila ishte përjashtuar nga shkolla ku vijonte mësimin, për shkak të një peticioni të nënshkruar nga prindërit e fëmijëve të tjerë, të cilët e kërkonin këtë.

Mirëpo Ëmbla Ademi, të enjten i është kthyer procesit mësimor, pas reagimit të ministrit të Arsimit në Maqedoni të Veriut, Jeton Shaqiri.

Në një lidhje direkte në “60 Minuta”, motra e Ëmbla Ademit, Ëndrra Ademi ka thënë se diskriminimet ndaj motrës së saj kanë nisur qysh në kopsht.

“Rreth moshës 3-vjeçare kur Ëmbla shkonte në kopsht, aty kemi vërejtur shumë diskriminime, pasi nuk është ftuar nëpër shfaqje, gjithmonë ka qenë e diskriminuar. Në kopsht gjithmonë edhe kur janë mbledhur fëmijët të hanë diçka bashkë, gjithmonë ajo ka qenë e veçuar prej të tjerëve. Kjo është vërejtur edhe gjatë shkollimit të saj, gjithmonë është parë me një sy tjetër. Ëmbla nuk është agresive, agresive është një fjalë e rëndë që mund t’i thuhet një fëmijë. Gjithë fëmijët me nevoja të veçanta nuk janë agresivë, por ndryshimi tek ta është një gjë shumë negative që mund të ndikojë tek këta fëmijë. Kur i paraqitet një ndryshim ajo i shpreh revoltat dhe pakënaqësitë e veta. Kjo te ne kuptohet si agresivitet”, ka shpjeguar Ademi.