Arbëri

Rama për rritjen e çmimeve në Shqipëri: Mjafton të shihni Kosovën

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka marrë shembull Kosovën teksa ka reaguar për rritjen e çmimeve në vendin që ai e udhëheq.

Ai ka replikuar me një qytetar përmes një postimi në Facebook pasi donte të dinte arsyen përse Qeveria duhet të vendosë një çmim të lartë ndërsa Shqipëria është vendi më i varfër në rajon.

Në përgjigjen e tij, Rama ka thënë se rritja e çmimeve “është një problem i përgjithshëm, mjafton të shihni Kosovën”.

“Rritja e çmimeve është një problem i përgjithshëm sot, mjafton të shihni Kosovën për të mos shkuar më larg, ndërkohë që siç kam premtuar ne po mbajmë më shumë kosto për buxhetin, mburojën mbi çmimin e energjisë për konsumatorët familjarë e biznesin e vogël, që kudo ka kërcyer e po kërcen lart. Sa për rrogat, ato janë rritur e do vazhdojnë të rriten, por rritja e rrogave nuk bëhet sipas dëshirës sonë, pasi unë i pari do doja t’i rrisja menjëherë të gjitha, por çdo rritje jashtë mundësive, do të thotë falimentim total në pak muaj si në kohën e Sudës, prandaj duhet punë e durim, për t’u ngjitur me këmbë në tokë s’ka asnjë rrugë tjetër të sigurt”, përgjigjet Rama.

Çmimet e produkteve ushqimore, naftës, benzinës dhe gazit kanë pësuar rritje drastike në Kosovë ditëve të fundit.