Arbëri

Mbyllet për publikun seanca ndaj Dardan Molliqajt

Descriptive Text

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, po mbahet seanca dëgjimore ndaj kryetarit të Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqajt, i dyshuar për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”, por kjo seancë është mbyllur për publikun.

Këtë e bëri të ditur gjyqtari i procedurës paraprake, Ngadhnjim Arrni.

Gjykatësi Arrni tha se arsyetimin për këtë vendim do ta bëjë në formë të shkruar, pasi të kryhen procedurat.

Ndryshe në seancën e sotme gjykata do të vendosë lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Molliqajt.

Dardan Molliqaj dhe Adem Megjuani ishin arrestuar për përfshirje në sulm ndaj personit zyrtar, të ndodhur në protestën e 29 janarit 2022, protestë e cila u mbajt kundër shtrenjtimit të rrymës.

Policia kishte njoftuar se Molliqaj ishte kërkuar në adresat e banimit, por nuk e kishte hasur të njëjtin dhe i kishte lënë edhe një ftesë për paraqitje vullnetare, megjithatë i dyshuari nuk e kishte përfillur.

Në ndërkohë, policia publikoi edhe dy ftesat/vërtetimet mbi dorëzimin e thirrjes që ia kishte dërguar Molliqajt, për t’u paraqitur në stacion policor. /BetimiPërDrejtësi