Arbëri

Shtyhet sërish shkarkimi i Metës, seanca e radhës të hënën

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Vitore Tusha ka shtyrë për në datën 7 shkurt ora 10:00 seancën e radhës ku do të shqyrtohet kërkesa për shkarkimin e presidentin Ilir Meta.

Vendimi u mor për t’u lënë 48 orë kohë përfaqësuesve të presidentit për t’u përgjigjur pyetjeve të gjyqtarëve.

Përgjatë sesionit të dytë, katër anëtarë nga shtatë, i kanë paraqitur përfaqësuesve të Presidencës, Bledar Dervishaj dhe Katerina Treska, disa pyetje me interes për procesin.

Pas pyetjeve të parashtruara nga gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, këshilltari ligjor i presidentit Meta, Bledar Dervishaj ka kërkuar 48 orë kohë për t’u përgjigjur rreth 70 pyetjeve, me argumentin se do të konsultohen me kreun e shtetit.

Nga ana tjetër, ka qenë deputetja socialiste Klotilda Bushka, përfaqësuese e Kuvendit në këtë proces, e cila ka thënë se palës së saj, i janë dashur vetëm dy orë kohë për t’u përgjigjur. Ndaj, nuk është e nevojshme që Presidenca të ketë kaq shumë afat.

Mirëpo, sipas Dervishajt, arsyeja pse është mbledhur seanca është për shkarkimin e presidentit dhe jo të Kuvendit. Ndaj, sipas tij, duhet më shumë kohë.

Në seancën e sotme në Gjykatën Kushtetuese ku u shqyrtua kërkesa për shkarkimin e Metës, pala mbrojtëse u paraqit në gjykatë me një dosje voluminoze prej 140 faqesh. /TCH