Arbëri

Çmimet e derivateve në Kosovë në vlera rekorde

Çmimet e derivateve në Kosovë kanë arritur vlerat më të larta në 20 vjetët e fundit, ka thënë të enjten, kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani.

Në një lidhje direkte në emisionin SOT në KTV, Berjani ka thënë se një litër naftë në Kosovë aktualisht ka çmimin prej 1.23 euro deri 1.3 euro, ndërsa benzina nga 1.25 deri në 1.32 euro.

Ai ka thënë se çmimet caktohen nga bursa ndërkombëtare dhe organizata prodhuese, OPEC.

“Derivatet janë të shtrenjta për qytetarët tanë, por ne s’vendosim por tregjet ndërkombëtare. Në të gjitha vendet çmimet janë rritur, por ne jemi më të lirët. Mund të them që është çmimi më i lartë në 20 vjetët e fundit. I dëmton shumë qytetarët sepse shporta e qytetarit rëndohet shumë më shumë. Për qytetarët tanë është çmim shumë i lartë, por duhet të pajtohemi sepse e përcakton bursa”, ka thënë Berjani.

Ai ka shtuar se në janar ishte pritur stabilizim i çmimeve, por ka shtuar se tensionet në veri kanë bërë që të ketë edhe më shumë rritje.

Berjani ka thënë se çmimet po rriten përditë në mënyrë të theksuar, ndërsa ka shtuar se vetëm Maqedonia funksionon me çmime më të lira në rajon.

“Mund të them se qytetarët po shërbehen në krizë me këto çmime të larta, me çmimet më të mira”, ka thënë ai.

Sipas tij, kompanitë e karburanteve në vend janë të furnizuara në nivel të duhur.

Berjani ka thënë se qytetarët s’janë ankuar në cilësi të derivateve, ndërsa ka apeluar që të gjithë që furnizohen me derivate të marrin kuponët fiskalë.