Arbëri

PSD-ja kërkon lirimin e menjëhershëm të Molliqajt, thotë se u arrestua pa fletarrest

Partia Socialdemokrate e Kosovës (PSD) ka kërkuar që të lirohet kryetari i saj Dardan Molliqaj.

PSD-ja ka thënë se Molliqaj sot është arrestuar pa një fletarrest dhe ka shtuar se fletarresti është përpiluar vetëm pasi ai ishte dërguar në stacion policor.

Anëtari i kryesisë së PSD-së, Dren Kukaj në konferencë për media ka thënë se në operacion policor sot morën pjesë 60 policë me armë të gjata dhe gjithçka sipas tij ishte e orkestruar.

“Nuk i është prezantuar fletarresti as në momentin kur është arrestuar e as brenda stacionit. Kemi kuptuar se fletarresti është lëshuar pasi është realizuar operacioni policor. Ka qenë 15 minuta pasi ka shkuar në stacion, kur ka filluar të përpilohet fletarresti. Ne nuk na është dhënë, vetëm një ‘screenshoot’ na është dërguar dhe nga ora e kemi parë se është përpiluar pas arrestimit. Kemi të bëjmë me një operacion policor të organizuar me mbi 60 policë me armë të gjata e që është realizuar brenda hapësirave të një televizioni”, ka thënë Kukaj.

Kukaj ka thënë se nuk janë plotësuar kushtet për t’i shqiptuar Molliqajt masa e ndalimit 48 orë, ndërsa është thënë se ftesat nuk janë dorëzuar në përputhje me kodin e procedurës penale.

Kukaj ka thënë se Dardan Molliqaj sot ishte në zyrë dhe po ashtu në aktivitete në Prishtinë, ndërsa është arrestuar në hapësira të një televizioni.

“Fakti se kemi operacion të organizuar në mbrëmje para mbajtjes së një debati televiziv, dhe pa një fletarrest, tregon se çdo gjë ishte e motivuar dhe orkestruar politikisht. Nuk kemi të bëjmë me rast të thjeshtë të procedurës penale, kemi të bëjmë me një orvajtje të shtetit të Kosovës përkatësisht partisë në pushtet kundrejt Dardan Molliqajt, kryetarit të PSD-së. Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të tij, e paralajmërojmë marrjen në përgjegjësi të gjithë zinxhirit komandues të sistemit të drejtësisë”, tha Kukaj.

Ndërkohë anëtarja tjetër e PSD-së, Natyra Kuçi, ka thënë se shfaqja e sotme është tentim për frikësim të opozitës, porse nuk do të arrihet.

“Qëllimi i kësaj shfaqje është frikësimi, intimidimi i opozitës, kundërshtarit politik. Nga këtu, nga zyrat e PSD-së, themi se nuk frikësohemi, nuk sprapsemi e nuk harrojmë kauzën e gjithë rrethanat pse nisi kjo shfaqje. Bëmë kundërshtim të madh, mblodhëm 3000 vetë për të kundërshtuar rritjen e çmimit të rrymës. Kjo e tmerroi Albin Kurtin e pushtetin që po tenton ta kapë shoqërinë e shtetin në duart e veta. Ftojmë mediat, e gjithë arkivistët e kundërshtarët të këtij pushteti autoritar, që të na bashkohen në aktivitete të mëtejme”, ka thënë Kuçi.