Arbëri

Lajçak: BE-ja dhe SHBA-ja ndajnë vizionin e njëjtë për dialogun Kosovë-Serbi

Emisari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak ka thënë se kjo është vizita e shtatë në Kosovë, si përfaqësues i BE-së.

Por, sipas tij, ajo që e bën këtë vizitë unike, është se janë së bashku me Escobarin, për të dërguar mesazh të qartë se BE-ja dhe SHBA-ja po bashkëpunojnë dhe për të treguar se ndajnë vizionin për Kosovën, e dialogun për normalizimin me Serbinë.

“Jam i lumtur se vizita ka ofruar mundësi për të diskutuar planin tonë për muajt e ardhshëm e javët e ardhshme me presidentin, me kryeministrin. E do të vazhdojmë diskutimet tona. Do të qëndrojmë deri të mërkurën, do të na ndihmojnë të kemi pamje të qartë se çfarë të presim në të ardhmen çfarë të presim në të ardhmen e të shtyjmë procesin para. Do të informojmë për vizitën. Në këtë pikë dua të them se jemi të lumtur që jemi këtu bashkë”, ka thënë ai.


19:05- ​Escobar dhe Lajçak takohen me zëvendëskryeministrin Bislimi

Zëvendëskryeministri i parë për integrim evropian, zhvillim dhe dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti në takim emisarin amerikan Gabriel Escobar si dhe atë të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak.

Bislimi i takoi të dërguarin e posaçëm të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor dhe përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, pas takimit që këta dy të fundit patën me kryeministrin Albin Kurti dhe ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.

Mediat janë lejuar vetëm pamje në fillim të takimit, ndërsa nuk ka pasur deklarata të tjera.

Ndryshe në adresimin e përbashkët për media me Escobar dhe Lajçak, Kurti tha se mbesin të angazhuar për dialog pa u cenuar integriteti dhe sovraniteti i vendit, ndërsa të dy emisarët deklaruan se bisedimet mbesin rruga e vetme drejt normalizimit të marrëdhënieve të të dyja vendeve.