Arbëri

Qeveria miraton Programin për Reforma në Ekonomi 2022-2024

Descriptive Text

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj ka miratuar Programi për Reforma në Ekonomi 2022-2024 dhe nismën për negocimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin “Financimi i Politikave Zhvillimore për Financa Publike dhe Rritje të Qëndrueshme”.

Sipas njoftimit për media, Programi për Reforma në Ekonomi 2022-2024, i miratuar sot, do të dorëzohet për informim në Kuvendin e Kosovës dhe te zyra ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Kosovë.

Qeveria bën me dije se ky Program është hartuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Zyra e Planifikimit Strategjik në Zyrën e Kryeministrit dhe koordinatorët e fushave të politikave nga ministritë e linjës.

Aktivitetet afatshkurtra nga Programi për Reforma në Ekonomi janë përfshirë në Planin Vjetor të Punës së Qeverisë për vitin 2022 dhe janë në përputhje me aktivitetet e planifikuara në projekt Planin Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit dhe Agjendën Evropiane të Reformave, si dhe me projektbuxhetin e vitit 2022.

Qeveria bën me dije se korniza e përgjithshme e politikave të Programit për Reforma në Ekonomi 2022-2024 është një kombinim:

i programit të rimëkëmbjes ekonomike, i cili synon të mbështesë rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë;

politikës fiskale të bazuar në rregullat e orientuara drejt stabilitetit të financave publike dhe, brenda hapësirës fiskale në dispozicion, drejt mbështetjes së rritjes ekonomike përmes investimeve kapitale dhe shtimit të fondeve për zonat prioritare të zhvillimit; dhe

një sërë reformash prioritare strukturore që adresojnë pengesat kryesore ndaj rritjes ekonomike dhe mbështesin zhvillimin e sektorëve ekonomik, konkurrues dhe sigurojnë që rritja ekonomike është gjithëpërfshirëse dhe e rritë mirëqenien.

Kurse, vendimi i dytë i miratuar në mbledhjen e sotme, Qeveria thotë se i ka hapur rrugë nismës për negocimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin “Financimi i Politikave Zhvillimore për Financa Publike dhe Rritje të Qëndrueshme”.