Arbëri

Fjolla Ujkani i kërkon falje publike profesorit Paci

Deputetja Fjolla Ujkani i ka kërkuar falje publike profesorit Lulzim Paci.

Ajo ka thënë se në karakterin e saj, bullizmi nuk ka vend në asnjë formë dhe për asnjë çmim.

“E kuptoj që një pjesë e njerëzve kanë reaguar me qëllim të mirë, mirëpo janë një numër i konsiderueshëm i tyre, që e kanë shfrytëzuar reagimin tim për sulme politike e qëllimkqija ndaj meje. Më vjen shumë keq nëse reagimi im e ka lënduar profesorin Paci, për çka edhe i kërkojë falje publike”, ka shkruar ajo.

Ujkani ka thënë se reagimi i saj ka pasur për qëllim mbrojtjen dhe mirëqenien e nxënësve, dhe gjithsesi ruajtjen dhe mbrojtjen e kredibilitetit të shkollës, në këtë rast Gjimnazit, por assesi lëndimin e dikujt tjetër.

“Unë, para se të jem deputete, kam qenë gjimnaziste e të njëjtës shkollë, pra kam reaguar si një ish gjimnaziste. Prandaj, kërkoj nga të gjithë me mirëkuptim, që mos ta përdorin reagimin tim për sulme me qëllime politike kundër meje”, ka shkruar ajo.