Arbëri

Presidenca dërgon komentet për tarifat e propozuara nga ZRRE-ja

Zyra e Presidentes së Kosovës i ka dërguar komentet për strukturën e re tarifore të propozuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji.

Në komentet thuhet se objektiv kryesor është respektimi i parimit të përballueshmërisë, qasjes së barabartë dhe furnizimi i rregullt me energji. Presidenca i ka bërë thirrje ZRRE-së që struktura e re tarifore të mos jetë diskriminuese.

“Për Presidenten e Republikës së Kosovës, objektiv kryesor mbetet respektimi i parimit të përballueshmërisë, qasjes së barabartë, dhe furnizimit të rregullt me energji elektrike. Nisur nga kjo, kërkohet nga ZRRE që, ashtu siç e ka cekur vet në dokumentin e publikuar, të sigurohet që ‘konsultimi publik të jetë në qendër të politikave rregullatore efektive. Respektivisht, ZRRE-ja ftohet që me seriozitet t`i trajtojë komentet dhe rekomandimet e palëve të interesit dhe t’i integrojë ato në mënyrë adekuate në dokumentin final, në mënyrë që struktura e re tarifore të mos jetë diskriminuese dhe e papërballueshme ndaj grupeve të caktuara të konsumatorëve në vend’”, thuhet në komentet.