Arbëri

Deliu kërkon nga presidentja Osmani ta kundërshtojë shtrenjtimin e rrymës

Deputetja e Kuvendit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu, ka kërkuar sërish nga presidentja Vjosa Osmani, t’i mbrojë interesat e qytetarëve të Kosovës.

Deliu tha se këtë gjë Osmani mund ta bëjë duke kundërshtuar shtrenjtimin e energjisë elektrike.

“Sot është dita e fundit që Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të dalë dhe të mbrojë interesin e qytetarëve të Kosovës. Presidente, vepro e pavarur nga Kryeministri Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje: Dil dhe mbroje interesin e qytetarëve të Kosovës. Presidente, dil dhe kundërshtoje shtrenjtimin e energjisë elektrike”, ka shkruar ajo në Facebook.

Sot është afati i fundit për të dhënë komente për raportin konsultativ të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) lidhur me tarifat e reja të energjisë elektrike, ndërkohë Qeveria e Kosovës akoma nuk ka dërguar komentet e saj.

Deliu ka kritikuar edhe para disa ditësh presidenten Osmani, duke thënë se ka një kohë që kjo e fundit nuk është deklaruar rreth zhvillimeve në vend.

“Ka kohë të gjatë që zonja Osmani nuk është deklaruar lidhur me gjendjen në të cilën janë qytetarët e Republikës së Kosovës, me dëmtimin e shëndetit publik, me masat e rënda shpeshherë të papërballueshme, me çmime të cilat janë tejet të larta e po shtrenjtohen çdo ditë, me paralajmërimet e rënda për rritje enorme të çmimit të energjisë elektrike”, ka thënë Deliu në seancën e fundit të mbajtur në Kuvendin e Kosovës.

Deri tani, Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka pranuar komente nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë në Vjenë, Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), KOSTT, KEDS dhe KESCO.

“ZRRE gjatë procesit të konsultimit publik, në kuadër të Shqyrtimin e Jashtëzakonshëm të tarifave të energjisë elektrike, deri më tani ka pranuar komente nga palë të ndryshme të interesit, si: Sekretariati i Komunitetit të Energjisë në Vjenë, Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), Operatorët e rregulluar KOSTT, KEDS dhe KESCO”, bën të ditur ky institucion.