Arbëri

VV-ja nuk është e sigurt se vendit i duhet gjykata që e premtoi gjatë fushatës

Vetëvendosje ka ndërruar diskurs në raport me krijimin e gjykatave të reja, siç janë Gjykata e Punës e Gjykata Administrative. Përderisa në fushatë elektorale premtonte themelimin e tyre, tash si pjesë e Qeverisë, thotë që është duke analizuar nëse ka nevojë për to. E, Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka deklaruar që nuk ka plane të tilla

Prishtinë, 30 janar - Krijimi i Gjykatës së Administratës dhe asaj të Punës ishte një nga premtimet elektorale të Vetëvendosjes, që sot udhëheq me Qeverinë.

Por, prej se ka ardhur në pushtet, kjo parti nuk ka folur për këto dy gjykata.

KOHA e ka pyetur Qeverinë për planet e realizimit të këtij premtimi. E, Ekzekutivi tash thotë se ende nuk e di nëse ato janë të nevojshme.

“Lidhur me Gjykatën e Punës, do të ketë një analizë paraprake, e cila do të përfshihet në koncept-dokument. Varësisht nga rekomandimet e koncept-dokumentit, do të vendoset tutje për Gjykatën Administrative dhe atë të Punës. Pra, të dyja këto do të trajtohen në këtë koncept-dokument”, ka thënë Rozafa Kelmendi, zëdhënëse e Qeverisë së Kosovës.

Në shkurtin e vitit 2021, kryeministri Albin Kurti mendonte ndryshe.

“Po ashtu, do të punohet në drejtim të krijimit të Gjykatës Administrative dhe asaj të Punës. Krijimi i këtyre gjykatave të reja me sistem elektronik për menaxhimin e lëndëve, me numër të nevojshëm gjyqtarësh të profesionalizuar në fushat përkatëse, do të dëshmonte rezultate të prekshme në praktikë”, pati deklaruar Abin Kurti, atëbotë lider i opozitës.

Në Këshillin Gjyqësor nuk e kanë as në plan krijimin e gjykatave të reja.

Një gjë të tillë, nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim e ka bërë të ditur kryesuesi Albert Zogaj.

“Sa i përket pyetjes për formimin e Gjykatës së Punës, ju informojmë se Këshilli Gjyqësor nuk e ka diskutuar dhe as nuk e ka në objektivat strategjike themelimin e Gjykatës së Punës”, ka thënë Zogaj.

Sipas të dhënave publike, kontestet e punës që përfundojnë në gjykata janë të shumta.

400 raste të reja për çështje pune janë iniciuar vetëm gjatë vitit 2020 në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Ndërsa nga viti 2019, janë mbi 4.000 lëndë të pazgjidhura nga kontestet e punës.

Kosova deri në vitin 2013 ka pasur funksionale Gjykatën Administrative, ku janë trajtuar çështjet e tilla, ndërkaq me ndryshimin e Ligjit, e njëjta kishte kaluar si departament në kuadër të Themelores së Prishtinës. E për kontestet gjyqësore të punës, çdo Gjykatë Themelore ka gjykatës.