Arbëri

KOSTT-i: Pagesat për rrymën në veri e kanë çuar kompaninë buzë falimentimit

Operatori i Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) është ankuar se pagesat që po i bën për rrymën e shpenzuar në veri të vendit e kanë çuar kompaninë në prag të falimentimit.

Në komentet e dërguara në raportin konsultativ të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për propozimin për ngritjen e çmimit të energjisë, KOSTT-i ka thënë se detyrimi i vendosur nga kjo zyrë për pagesën e rrymës në veri e ka çuar në prag të falimentimit.

Sipas KOSTT-it, për humbjet në komunat veriore kjo kompani ka paguar më shumë se 33 milionë euro më 2021.

“Kostoja e humbjeve në pjesën veriore gjatë vitit 2021 ka arritur vlerën prej 40,849,659 euro. Nga Qeveria e Kosovës janë mbuluar rreth 7,673,462 milionë euro, pjesa tjetër prej 33,176,197 euro është mbuluar nga buxheti i KOSTT sipas udhëzimeve të Parlamentit të Kosovës. Si rrjedhojë, Bilanci i Suksesit të kompanisë me 31 dhjetor 2021, paraqitet negativ, pra me humbje rreth 25 milionë euro. Të gjitha parashikimet financiare për vitin 2022 me skenarët ku obligimi i mbulimit të humbjeve në pjesën veriore i mbetet KOSTT pa të hyra për këtë kosto, e sjellin kompaninë në prag të falimentimit në tremujorin e parë të vitit 2022”, thuhet në komentin e KOSTT-it për propozimin e ZRRE-së.

KOSTT-i ka kërkuar nga ZRRE-ja urgjentisht t’ia largojë obligimin e mbulimit të humbjeve në pjesën veriore të Kosovës nga Licenca për Operatorin e Sistemit të Transmetimit ose të gjejë mekanizëm tjetër të mbulimit të kostos.