Arbëri

Kamberi e vlerëson kërcënim paralajmërimin e Prokurorisë serbe për aktakuzë

Prokuroria Speciale në Nish të Serbisë ka propozuar që t’i ngrihet aktakuzë deputetit shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi.

Këtë e bëri të ditur vetë Kamberi, i cili ka njoftuar se kjo Prokurori e Nishit ka propozuar që t’i ngrihet aktakuzë me pretendimet për tejkalim të përvetësimit të buxhetit derisa ka qenë kryetar i Bujanocit.

“Dje u njoftova zyrtarisht se Prokuroria Speciale në Nish paska propozuar që të ngritët akuzë ndaj meje për ‘tejkalim të apropriacioneve të buxhetit’ përderisa kam ushtruar detyrën e kryetarit të Bujanocit më 2018 dhe 2019”, ka njoftuar Kamberi.

Ai ka thënë se ka vite që segmentet e kontrolluara nga pushteti në Serbi, vazhdojnë të “përbaltin” emrin e tij, dhe se këtu puna e tij nuk trajtohet si kryetar i Bujanocit, por si opozitar në Kuvendin e Serbisë.

“Këtë hall ka regjimi i Vuçiqit. Nuk e ka hall korrupsionin. Madje halli i tij është pse s’jam i korruptuar. Duke qenë autoritar, ai e ka hall kundërshtimin tim. Pamundësinë që e ka parë këto vite sa jam deputet për të më heshtur dhe nënshtruar”, ka shkruar Kamberi, teksa njoftoi se nuk mund ta ndalin me presione dhe kërcënime e shantazhe.