Arbëri

Deputetët nga Shqipëria vizitojnë Ministrinë e Mbrojtjes dhe atë të Punëve të Brendshme

Descriptive Text

Deputetët dhe anëtarët e Komisionit për Siguri Kombëtare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, të kryesuar nga Nasip Naço, kanë qëndruar sot për vizitë në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Shtabin e Përgjithshëm të FSK-së.

Ata fillimisht u pritën nga zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla dhe zëvendëskomandanti i FSK-së, gjeneralmajor Enver Cikaqi, e më pas në takim të veçantë u shoqëruan edhe nga kolegët e tyre nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, kryesuar nga zv.kryesuesi, deputeti Enver Dugolli, por edhe nga Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Në një komunikatë për media, bëhet e ditur se nga të dyja palët u vlerësua lartë bashkëpunimi ndërinstitucional dhe “shkëmbimi i eksperiencave edhe në nivele të tilla, si vlerë e shtuar e marrëdhënieve të ngushta vëllazërore”.

Në këtë vizitë, thuhet se të gjithë u pajtuan që mbikëqyrja parlamentare është instrumenti i fuqishëm i kontrollit demokratik të forcave të dy vendeve, si forca moderne me përcaktim dhe doktrinë me bazë në vlerat e qarta euroatlantike.

Deputetët nga Shqipëria janë pritur edhe nga zëvendësministrat e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Blerim Gashani e Bardhyl Dobra si dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë, Samedin Mehmeti.

Në takimin e tyre është diskutuar rreth çështjeve të sigurisë për të dyja vendet, thellimin e bashkëpunimit të mëtutjeshëm, marrëveshjet e nënshkruara deri më tani ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë si dhe mbi zbatueshmërinë e këtyre marrëveshjeve.

Sipas të dyja palëve, bashkëpunimi mes dy ministrive dhe agjencive vartëse duhet të intensifikohet edhe më shumë dhe roli i komisioneve mbikëqyrëse të jetë jo vetëm monitorues por edhe këshillues në mënyrë që të garantohet siguri dhe stabilitet në të dy vendet.