Arbëri

Afër 400 nxënës të infektuar me COVID-19 në tri komuna

Descriptive Text

Numri i klasave dhe shkollave që kanë kaluar në skenarin C (mësim online) për shkak të pandemisë COVID-19 është rritur këtë javë në tri komuna, nw Podujevë, Fushë-Kosovë e Obiliq.

Deri tash janë 5 shkolla në Fushë-Kosovë e Obiliq që nuk janë duke e zhvilluar mësimin me prezencë fizike. Ndërkohë që 374 ka shkuar numri i nxënësve që kanë rezultuar pozitivë me koronavirus në tri komunat e sipërpërmendura.

“Ditëve të fundit ka shkuar duke u shtuar numri i të infektuarëve me COVID-19 nëpër shkollat e Komunës së Podujevës. Tash i kemi 12 klasë në shkolla të ndryshme të Komunës së Podujevës të cilat kanë kaluar në mësim online, ndërsa janë infektuar 92 nxënës dhe 25 mësimdhënës me koronavirus”, ka thënë zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia.

Në Komunën e Obiliqit janë dy shkolla që janë duke e zhvilluar mësimin online (skenari C), Gjimnazi “17 Shkurti” në Obiliq dhe SHFMU “Hasan Prishtina” në Milloshevë.

“Të gjitha shkollat tjera me përjashtim të dy shkollave që gjenden në skenar C për shkak të pandemisë Covid-19, të tjerat janë duke vazhduar procesin mësimor në shkolla. Numri i mësimdhënësve pozitiv me Covid-19 është 26, numri i nxënësve pozitiv me Covid-19 ështe 112, në gjendje stabile shëndetësore”, thuhet në përgjigjet e Zyrës për informim të Komunës së Obiliqit.

“Përpjekjet tona të përbashkëta janë që mësimi të vazhdojë në shkolla dhe për këtë mekanizmat antiCovid-19 në institucionet shkollore bashkë me DKA-në dhe DSHMS-në, po e përcjellin me kujdes situatën epidemiologjike dhe po zbatojnë me përpikëri udhëzimet e institucioneve shëndetësore”.

Në Komunën e Fushë-Kosovës, sipas drejtorit për Arsim, Samir Shahini, numri i shkollave që kanë kaluar në mësim online ka shkuar në tre.

“Aktualisht janë tri shkolla që kanë kaluar në mësim online: Shkolla ‘Mihal Grameno’ me dy paralelet e ndara dhe rreth dhjetë klasa nëpër shkolla tjera. Po ashtu të prekur me koronavirus janë diku 170 nxënës dhe rreth 20 mësimdhënës”, ka thënë Samir Shahini.