Arbëri

“Seanca konstituive javën e ardhshme - Qeveria në kohë rekord”

Partitë politike janë aktivizuar pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve nga KQZ-ja.

I nominuari për kryeministër i PAN-it, Ramush Haradinaj, ka pritur të hënën ambasadorin amerikan, Greg Delawie, por ky nuk ka qenë i gatshëm të flasë për takimin.

Pasi e ka përcjellë ambasadorin amerikan, Haradinaj është takuar me kryesinë e partisë së tij dhe ka thënë se aty u bisedua për krijimin e qeverisë, siç ka thënë, në kohë rekorde, raporton KTV.

I vetëdijshëm se nuk i ka votat për formim të qeverisë, ai ka thënë se do të nisë bisedimet me partitë politike për formimin e institucioneve ekzekutive.

Për këtë, ka kërkuar takime me kryetarët e Vetëvendosjes, LDK-së, Listës Serbe e komuniteteve të tjera joshumicë.

Në letrën e Haradinajt, që e ka siguruar KTV-ja, ftesa për takim në Kuvendin e Kosovës, do të ishte për të diskutuar pikëpamjet rreth ndërtimit të institucioneve të Kosovës.

“Diskutimi për çështjet e interesit nacional dhe të bashkëpunimit e bashkërendimit institucional duhet të jetë një praktikë e vazhdueshme me qëllim të forcimit të demokracisë së brendshme të Kosovës”, shkruan Haradinaj në ftesën dërguar VV-së, LDK-së, Listës Serbe dhe komuniteteve të tjera joshumicë.

Haradinaj megjithatë ka hedhur poshtë mundësinë që të largohet nga koalicioni me PDK-në, duke thënë se ky do të ishte hap mbrapa.

Por, Vetëvendosje dhe LDK-ja e kanë refuzuar këtë kërkesë menjëherë.

“Prej letrës së Haradinajt, kuptohet që ai dëshiron takim, por nuk është i qartë qëllimi i këtij takimi. Nëse është fjala për koordinimin e mbledhjes së parë të Kuvendit ky nuk është roli e as detyra e z. Haradinaj. Duke qenë vetëm njëri prej deputetëve të legjislaturës së gjashtë Z. Haradinaj nuk e ka rolin e koordinimit dhe konsultimit për mbledhjen e parë. Në qoftë se z. Haradinaj po na fton për të diskutuar mundësinë e bashkëpunimit për qeverisje ai takim mund të pranohet vetëm kur ftesa bëhet nga pozita e kryetarit të AAK-së dhe pasi të dalë prej PAN-it.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të 11 qershorit, ku partitë rreth PDK-së kanë fituar 33 për qind, Vetëvendosje 27 për qind dhe koalicioni rreth LDK-së ka marrë 25 për qind të votave.