Arbëri

Kurti nuk përmbushi gjysmën e planit të punës më 2021, sipas FOL-it e PIPS-it

Descriptive Text

Lëvizja FOL dhe PIPS kanë prezantuar nivelin e përmbushjes së Planit të Punës së Qeverisë së Kosovës për vitin 2021, në periudhën mars – dhjetor. Sipas FOL, Zyra e kryeministrit Albin Kurti nuk ka përmbushur 48.1 për qind të planit të punës, pasi nga 77 aktivitete të parapara, ka realizuar 40. Mes aktiviteteve të papërfunduara, janë llogaritur edhe ato që janë në proces e sipër.

Erblin Hoxha, koordinator i projektit në Lëvizjen FOL, tregoi metodologjinë me të cilën është punuar në realizimin e këtij projekti, të mbështetur nga Ambasada holandeze.

“Sipas planit zyrtar që ka Qeveria dhe ministritë përkatëse, ne kemi marrë ato ministritë në bazë të afateve kohore që janë paraparë të gjitha aktivitetet të përfundojnë deri më 31 dhjetor 2021. Në janar të këtij viti, kemi dërguar pyetësor te secila ministri dhe na kanë kthyer informatat për ato aktivitetet që kanë përfunduar. Nëse e shikojmë me prezantimin në tetor të vitit 2021, ka qenë edhe një kategori tjetër në krahasim me këtë prezantim për shkak të gjendjes pandemike. Kategoria e parë ka qenë aktivitetet e përfunduara, në kategorinë e dytë kanë qenë aktivitetet e papërfunduara, dhe në kategorinë e tretë aktivitetet në proces e sipër. Në këtë realizim për mars – dhjetor 2021, nuk e kemi aktivitetin në proces e sipër dhe çdo aktivitet që ka qenë në proces e sipër, është paraqitur si i papërfunduar. Ne kemi qenë më të interesuar të shohim cilat aktivitete kanë përfunduar në kohë. Në total kanë qenë 764 aktivitete, prej tyre 428 janë realizuar, 436 nuk janë realizuar. 56 për qind të planit të punës për vitin 2021 është realizuar, ndërsa 44 për qind nuk është realizuar, disa prej tyre janë në proces e sipër. Zyra e kryeministrit ka përfunduar total 51.9 për qind të aktiviteteve të realizuara, 77 aktivitete në kuadër të 27 objektivave. Ka realizuar 40 aktivitete, 37 nuk i ka realizuar”, ka thënë Hoxha.

Sipas FOL dhe PIPS, ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi është më i suksesshmi në realizimin e aktiviteteve. Ai ka realizuar të gjitha aktivitetet e parapara. Ndërkohë, ministri me rezultatin më të dobët është ai i Mjedisit, Liburn Aliu, që ka realizuar vetëm 28.9 për qind të aktiviteteve.

Image