Arbëri

Franca e Gjermania përshëndesin përparimin e Kosovës “në luftimin e korrupsionit”

Descriptive Text

Franca e Gjermania, përmes ambasadave të tyre në Prishtinë, janë shprehur të lumtura për përparimin e Kosovës në luftën kundër korrupsionit, bazuar në indeksin e perceptimit të hartuar nga Transparency International.

Kosova është vlerësuar me 39 pikë, tri më shumë se vitin e shkuar apo 17 pozita më lartë.

“Lajm i mirë. Kosova shënon progres, duke u ngjitur 17 vende në krahasim me vitin e kaluar në indeksin e perceptimit të korrupsionit. Duhet vazhduar këtë progres. Franca e mbështet plotësisht Kosovën në luftën e vazhdueshme kundër korrupsionit”, thuhet në postimin e ambasadës franceze.

Lajm të mirë e ka quajtur edhe ambasada e Gjermanisë në Prishtinë.

“Lajme i mirë! Kosova bën përparim të dukshëm në luftimin e korrupsionit! Në indeksin e Transparency International, Kosova është përmirësuar me 17 vende dhe tani renditet në vendin e 87-të”, thuhet në postimin e ambasadës gjermane, që ka vënë edhe një deklaratë të ambasadorit Jorn Rohde: "Është inkurajuese që Kosova më në fund filloi të ecë në bisedime për të luftuar seriozisht korrupsionin. Vazhdoni kështu! Kosova ka mbështetjen e plotë gjermane".

Sipas këtij raporti, vetëm Mali i Zi qëndron më mirë në Ballkanin Perëndimor, me 46 pikë.

Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia dhe Serbia janë vlerësuar më pak.