Arbëri

Debati për rritjen e çmimeve shënon nisjen e sesionit pranveror

Rregullorja e punës së Kuvendit, Projektligji për Qeverinë e ai për Financimin e Subjekteve Politike, janë vetëm disa nga punët që këtë vit kanë deputetët para vetes.

Sipas një përgjigjeje nga Kuvendi i Kosovës, në shqyrtim në këtë institucion janë 76 projektligje. Derisa një procedurë të tillë në komisionet parlamentare e kanë përfunduar 11 e të cilat pritet të shqyrtohen në seancë.

“Aktualisht në procedurën e shqyrtimit në Kuvend janë 76 projektligje. ​11 projektligje kanë kaluar procedurat e shqyrtimit në komisione parlamentare dhe pritet të shqyrtohen në seancë plenare”, thuhet në përgjigjen e Drejtorisë për media dhe marrëdhënie me publikun të Kuvendit të Kosovës..

Njohës të punës së Kuvendit janë optimistë se viti 2022 do të jetë më efikas sa u përket agjendës legjislative e ndryshimeve që do të bëhen.

Agnesa Haxhiu, hulumtuese në Institutin Demokratik të Kosovës, thotë se mes grupeve parlamentare ekziston një konsensus për çështjet që kanë qenë problematike më herët. Përmend këtu edhe rregulloren për Kuvendin e dy projektligje të tjera.

“Janë dy projektligje që qeveria i ka miratuar, që është projektligji për qeverinë e për financimin e subjekteve politike të cilat kanë pasur probleme në të kaluarën për t’u miratuar për shkak të këtij konsensusi që nuk ka ekzistuar mes grupeve parlamentare edhe ka fillu disa diskutime jozyrtare”, ka thënë Haxhiu.

Sipas Haxhiut, zgjedhjet lokale kanë qenë faktori kryesor që ka ndikuar në mospërmbushjen e agjendës legjislative, ndonëse nuk ka pasur ndonjë plan të punës vitin që lëmë pas.

“E konsideroj që ky vit do të tregoj më mirë në qoftë se kanë qenë probleme të tilla të numrave apo vetëm këta faktorët e jashtëm që e kane pengu sepse ky vit është vit i plotë i punës. Nuk do të ketë procedura që do të ketë procese të tjera që mund të ndërhyjnë, përjashtim zhvillimeve të papritura politike që mund të ndodhin, por të planifikuara nuk ka”, shtoi ajo.

Seanca e parë e sesionit pranveror pritet të mbahet të enjten. Mes tjerash, deputetët do të debatojnë edhe për rritjen e çmimeve.