Arbëri

Gjysma e kabinetit qeveritar të Maqedonisë së Veriut me shqiptarë

Descriptive Text

Kryeministri i ri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka nisur sot detyrën e re. Ai ka marrë të hënën detyrën nga ish-kryeministri Zoran Zaev në një ceremoni, më pas ka bërë disa takime me zyrtarë të huajë dhe është pritur nga presidenti i vendit, Stevo Pendarovski.

Në takim me presidentin e vendit, Kovaçevski kishte gjithë kabinetin që u votua mbrëmë në Kuvend dhe ai përbëhet nga 10 shqiptarë apo fiks gjysma e anëtarëve nëse nuk llogaritet shefi i Qeverisë.

Për herë të parë në historinë e Maqedonisë, resorët qeveritarë janë ndarë thuajse 50:50, pa llogaritur këtu postin e kryeministrit.

Në qeverinë e re të Maqedonisë janë gjashtë shqiptarë nga BDI-ja, tre nga Alternativa dhe një nga LSDM-ja, prej nga vjen edhe kryeministri.

Shqiptarët në qeverinë e re kanë një post të zv.kryeministrit dhe nëntë të ministrave.

Në qeverinë e kaluar, në krye me Zaevin, ishin tetë shqiptarë në Qeveri.

Po ashtu, kryetar i Kuvendit tash e dy mandate është një politikan shqiptar, Talat Xhaferi.

Përbërja e re e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut:

  • Kryeministër - Dimitar Kovaçevski
  • Zëvendëskryeministre për Luftë kundër Korrupsionit - Sllavica Gërkovska
  • Zëvendëskryeministër për Çështje Ekonomike - Fatmir Bytyqi
  • Zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane - Bojan Mariçiq
  • Ministër i Punëve të Brendshme - Oliver Spasovski
  • Ministër i Punëve të Jashtme - Bujar Osmani
  • Ministre e Mbrojtjes - Sllavjanka Petrovska
  • Ministër i Financave - Fatmir Besimi
  • Ministër i Drejtësisë - Nikolla Tupançevski
  • Ministër i Sistemit Politik - Artan Grubi
  • Ministre e Kulturës - Bisera Kostadinovska Stojçevska
  • Ministër i Shëndetësisë - Bekim Sali
  • Ministër i Bujqësisë - Lupço Nikollovski
  • Ministre e Punës dhe Politikës Sociale - Jovana Trençevska
  • Ministër i Transportit dhe Lidhjeve - Bllagoj Boçvarski
  • Ministër i Ekonomisë - Kreshnik Bekteshi
  • Ministër i Arsimit dhe Shkencës - Jeton Shaqiri
  • Ministër i Ekologjisë - Naser Nuredini
  • Ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës - Admirim Haliti
  • Ministër i Vetëqeverisjes Lokale - Goran Milevski
  • Ministër pa resor, përgjegjës për Diasporën - Xhemail Çupi