Arbëri

Kosova ngec në dokumentim e ndëshkim të krimeve të luftës

Në mënyrë që kryerësit e këtyre krimeve të mund të vihen para drejtësisë, Fondi për të Drejtën Humanitare ka rekomanduar që të lidhet bashkëpunim midis prokurorive të Kosovës e të Serbisë, dhe që sa më parë të funksionalizohet instituti për dokumentimin e krimeve të luftës. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se ka shumë punë për dokumentimin e krimeve të luftës dhe se tashmë i është hapur rruga institutit që do t’i hulumtojë krimet

Kosova vazhdon të ngecë me dokumentimin dhe ndëshkimin e krimeve të luftës. Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, shumë pak në këtë drejtim është bërë edhe nga institucionet e drejtësisë.

Bekim Blakaj, drejtor i FDH-së në Kosovë, kërkon shtyrjen përpara të propozimit për bashkëpunim juridik-penal me prokurorinë për krime të luftës në Serbi, në mënyrë që sa më shumë kryerës të ballafaqohen me drejtësinë.

“Pala kosovare do të duhej ta impononte edhe një temë. Pra, përveç çështjes së personave të zhdukur, do të duhej që të kërkonte që të vendoset bashkëpunimi juridik në mes të prokurorive speciale për krime të lufte të Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që të ndiqen në mënyrë efektive kryerësit e krimeve të luftës, ndaj të cilëve apo për të cilët ka prova të mjaftueshme prokuroria për krime lufte, respektivisht Departamenti për Krime të Luftës në Kosovë (v.j. në Prokurorinë Speciale)”, ka thënë Blakaj, duke e përmendur modelin që ka sjellë disa rezultate të dënimit të ushtarakëve të rangut të ulët, në rastin e Kroacisë dhe të Bosnjë Hercegovinës.

Në përvjetorët si ai i Reçakut, vit pas viti, politikanët thonë se Serbia do të mbahet përgjegjëse në dialog për krimet që i ka kryer në Kosovë.

Këto Blakaj i quan kalkulime politike në kurriz të familjarëve të viktimave, por shton se duhet të jenë pjesë e marrëveshjes finale.

“Shumë shpesh është kalkuluar me çështjet e krimeve të luftës apo me çfarëdo që ka të bëjë me të kaluarën e dhimbshme, mirëpo nëse dialogu është duke u zhvilluar për siç po thuhet, tani edhe nga zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian për relaksimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, atëherë relaksimi i marrëdhënieve nuk mund të bëhet natyrshëm pa trajtimin e së kaluarës në mënyrë të duhur dhe këtu sigurisht çështjet më emergjente janë zgjedhja apo zbardhja e fatit të personave të zhdukur, por edhe kërkimi i drejtësisë për viktimat në ato raste ku është i mundshëm”, ka thënë Blakaj.
Sipas tij, kjo duhet të ndodhë para arritjes së marrëveshjes finale.
“Unë nuk e besoj që kjo do ta rëndojë se kjo do ta rëndojë dialogun. Askush nuk ka iluzione se që këto çështje duhet të zgjidhen para se të nënshkruhet marrëveshja finale”, ka thënë Blakaj.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se janë bërë përgatitjet për funksionalizimin e institutit për dokumentimin e krimeve të luftës.

“Ne e kemi rithemeluar atë dhe kemi përgatitur dokumentacionin përkatës në mënyrë që ai të funksionalizohet, meqenëse dikur u pat formuar, por edhe u pat braktisur. Ne kemi nevojë ta riaktualizojmë atë, sepse gjykimi dhe dënimi i kriminelëve për krimet e kryera gjatë luftës që nuk janë vetëm krime lufte e që janë krime kundër njerëzimit janë edhe gjenocidi duhet që ta kenë dokumentacionin, dëshmitë materiale pikërisht nga një institut i tillë dhe ne këtë po e bëjmë. Ka shumë punë e ndërkohë, i kemi dy dekada me shumë pak rezultate për të mos thënë aspak”, ka thënë kryeministri Kurti.

Lidhur me ndjekjen penale të përgjegjësve për këto krime, kryeministri Kurti ka thënë se Departamenti për Krime Lufte në Prokurorinë Speciale ka marrë mbështetjen e duhur.

“Prokurorinë Speciale po përpiqemi që ta forcojmë në mënyrë që të ketë sa më shumë aktakuza prej kallëzimeve penale, të ketë edhe kallëzime të reja penale, ashtu që ata që janë fajtorë të vihen para drejtësisë”, ka thënë Kurti. Derisa nuk ke treguar se kur mund për paditet Serbia për gjenocid, si sukses ai e ka përmendur ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale, duke lejuar gjykimin e dënimin në mungesë të krimeve të luftës.

Që nga pasditja e së premtes, Prokuroria Speciale nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS lidhur me rezultatet, nevojat e saj dhe fletarrestimet që i ka dërguar për të dyshuarit për krime lufte në shtetet e tjera.