Arbëri

Selmanaj jep tri arsyet pse abstenoi në rezolutën kundër referendumit të Serbisë

Descriptive Text

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, ishte i vetmi i pranishëm në sallën e Kuvendit që abstenoi kur u miratua rezoluta që të mos lejohet mbajtja e referendumit të Serbisë në territorin e Kosovës. Selmanaj tani ka dhënë tri arsye pse ka bërë një veprim të tillë.

Sipas tij, arsyeja e parë është që "seanca e jashtëzakonshme ishte e panevojshme, e pakuptimtë dhe pa fije substance".

“Asnjëherë nuk ka nevojë që Kuvendi të mblidhet për t’ia kujtuar dhe rikujtuar detyrat kushtetuese që kanë institucionet tjera. Detyrat kushtetuese për Kryeministrin, Presidentin dhe Kuvendin janë të shkruara dhe të përcaktuara me Kushtetutë, ato duhet zbatohen me detyrim nga të gjithë, pa pasur nevojë për rikujtim ndaj njëri tjetrit”, ka shkruar Selmanaj në Facebook.

E si arsye të dytë, Selmanaj e ka renditur “pazotësinë e Kurtit për të marrë vendime në zbatim të detyrimeve kushtetutese".

“Kisha bindjen që kjo seancë ishte thirrur nga Albin Kurti për ta shpërnda një pjesë të përgjegjësisë vendimmarrëse nga pazotësia e tij për të marrë vendime në zbatim të detyrimeve kushtetuese. Mungesa e integritetit të tij për të marrë vendime, futi në cirkun e tij krejt në mënyrë të pakuptimtë Kuvendin e Republikës së Kosovës”.

Deputeti i LDK-së tutje ka shtuar se si arsye e tretë është fakti se si institucionet tona e kanë menaxhuar këtë situatë, pasi sipas tij, “për herë të parë në historinë e re të Kosovës të gjitha vendet e QUINT-it dhe SHBA-ja dolën kundër nesh”.

“Mënyra e menaxhimit të kësaj situate në relacion me partnerët tanë strategjikë me theks të veçantë me SHBA-të. Është hera e parë në historinë e re të Kosovës, që të gjitha vendet e QUINT-it të dalin kundër nesh. Kjo tregon që Albin Kurti me njerëzit e tij ka cenuar rëndë komunikimin dhe bashkëpunimin me ta. Pasojat e këtij mos bashkëpunimi do i shohim në ditët dhe muajt në vijim. Kam bindjen që ky është vetëm fillimi”.

Selmanaj në fund u shpreh se sovraniteti dhe integriteti i Kosovës duhet të mbrohet me çdo kusht nga të gjithë.