Arbëri

BE-ja i bën presion Kosovës për ta lejuar në territorin e saj referendumin e Serbisë

Zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë vazhduar edhe sot presionin publik ndaj Kosovës për të lejuar që serbët në Kosovë të votojnë në referendumin që po e organizon Serbia të dielën.

Sot është prononcuar edhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell që ka thënë se për këtë temë ka biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ai ka thënë se biseda ka qenë lidhur me grumbullimin e votave në Kosovë për referendumin kushtetues që mbahet të dielën në Serbi.

“Grumbullimi i votave në Kosovë në të kaluarën është bërë përmes lehtësimit nga OSBE dhe qytetarët duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar”, ka thënë Borrell.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dje duke iu referuar të njëjtës bisedë kishte thënë se qytetarët serbë me shtetësi të dyfishtë mund të votojnë në Kosovë, por vetëm përmes postës apo zyrës ndërlidhëse të Serbisë në Prishtinë.

Në selinë e BE-së në Bruksel kanë thënë se votimi i serbëve të Kosovës në zgjedhjet e Serbisë ka ndodhur edhe në të kaluarën dhe këto i ka mbikëqyrur dhe organizuar OSBE-ja.

Këtë qëndrim e ka rikujtuar sot edhe njëherë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano duke thënë po ashtu se BE-ja me keqardhje sheh që Qeveria e Kosovës nuk ka lejuar që operacionet për organizimin e referendumit të Serbisë më 16 janar të zhvillohen.

“I bëjmë thirrje Kosovës që të zbatojë praktikën ekzistuese. Qytetarët s’duhet të paguajnë çmimin e mospajtimeve politike, sidomos kur është fjala për pjesëmarrjen e tyre në procesin demokratik”, ka thënë ai dhe ka shtuar se BE-ja u bën ftesë palëve që të gjejnë një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët për të mundësuar ata me të drejtë vote që banojnë në Kosovë të shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike.

Zëdhënësi i BE-së ka thënë po ashtu se BE-ja fton palët që këtë çështje ta diskutojnë edhe në dialogun e lehtësuar nga BE-ja në Bruksel.