Arbëri

Konstituimi i Kuvendit, para 8 gushtit

Partia Demokratike e Kosovës ende nuk ka vendosur se kush do të jetë kandidati i kësaj partie për kryetar të Kuvendit.

Nënkryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se shumë shpejt koalicioni PAN, do të nisë diskutimet për formimin e Qeverisë dhe për kandidatin për kryetar të Kuvendit, raporton KTV.

As Vetëvendosje nuk ka dhënë një qëndrim nëse do ta votojnë kryetarin e Kuvendit.

Ndërsa, deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri, ka thënë se kjo parti ende nuk ka qëndrim nëse do ta votojnë kandidatin e PDK-së për kryetar të Kuvendit.

Në bazë të Kushtetutës së Kosovës, seanca konstituive e Kuvendit duhet të mbahet brenda tridhjetë ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve.

Pas konstituimit të Kuvendit, Presidenti i Kosovës i jep mandatin partisë apo koalicionit fitues të zgjedhjeve për të formuar Qeverinë.