Arbëri

Qytetarët ankohen për mashtrime me bileta, “Prishtina Jet” fajëson agjencitë online

Bashkatdhetarë të shumtë po pretendojnë se janë mashtruar nga kompania ajrore “Prishtina Jet”. Ata po e akuzojnë këtë aviokompani se në fund të vitit të kaluar u ka shitur bileta fiktive për ardhje në Kosovë, të cilat ua ka anuluar dy ditë para datës së fluturimit. E fluturimi i planifikuar për të cilin kanë blerë bileta, ata thonë se nuk ka figuruar në asnjërin prej aeroporteve prej ku do të niseshin e ku do të mbërrinin.

Pesë biletat në vlerë prej 1500 eurosh bashkatdhetarit Fitim Gashi iu dogjën.

Në fillim të nëntorit të kaluar Gashi kishte rezervuar bileta kthyese për veten, bashkëshorten e tri vajzat që më 25 dhjetor të vinte nga Gjermania në Kosovë.

Por fluturimi i tij nuk u realizua.

Ai pretendon se kompania përgjegjëse për fluturimin “Prishtina Jet”, i shiti bileta fiktive meqë fluturimi i planifikuar për atë ditë nuk figuronte as në Aeroportin e Shtutgartit e as në atë të Prishtinës.

“Biletat kanë qenë fiktive, pas informatave që kam kërkuar nga Policia në rrethin e Shtutgartit dhe në Aeroportin e Shtutgartit po ashtu edhe telefonatat në Aeroportin e Prishtinës, nuk është konfirmuar se fluturimi nga ‘Prishtina Jet do të realizohet’. Me bindje të plotë dhe në mes të fakteve mund ta vërtetoni se më datë 23, 24 dhe 25, ‘Prishtina Jet’ nuk ka realizuar fluturimet për të cilat ka marrë një shumë të konsiderueshme të parave dhe fatkeqësisht nuk jam vetëm unë personi i dëmtuar por ka me mijëra bashkatdhetarë”, ka thënë ai për KTV-në.

Dy ditë para se të niseshin për Kosovë, Gashi ka pranuar një email prej një kompanie me seli në Slloveni në emër të ‘Prishtina Jet’, e cila e kishte njoftuar se fluturimi i tij ishte anuluar për shkak të mospagesës.

Por, Gashi posedon dëshmitë me të cilat vetë kompania ‘Prishtina Jet’ ia kishte konfirmuar pagesën.

Për pretendimet e tij se është mashtruar, ai i është drejtuar edhe Policisë në Shtutgart por shprehet i zhgënjyer me dëmin material e moral që thotë t’ia ketë bërë kompania në fjalë.

“Meqë kisha planifikuar pushimet në Kosovë, u detyrova të marr biletat e reja në vlerë 1200 dhe po aq të paktën do të më kushtojë kthimi prapa në Gjermani. Pra, përveç mashtrimit dhe shitjes së biletave fiktive me qëllim të përfitimit pasuror në vlerë 1500 euro, ardhja dhe kthimi në Gjermani do të më kushtojë diku 4500 euro. Ky është dëm përveç moral edhe material që na ka dëmtuar familjarisht neve dhe shumë njerëzve që veprojnë dhe punojnë në diasporë”, ka vazhduar ai.

Gashi nuk është personi i vetëm që ka pësuar nga blerja e biletave me kompaninë ajrore ‘Prishtina Jet’.

Andelina Biqkaj bashkatdhetare tjetër ka thënë se edhe bileta e saj u anulua dy ditë para udhëtimit me arsyetimin se nuk e kishte kryer pagesën, ani pse kishte marrë konfirmimin për një gjë të tillë.

“Shumica e qytetarëve po bëjnë pagesa online për fluturime nga vendet e Evropës drejt Kosovës, dhe dy ditë para udhëtimit vjen emaili nga kompania që është anuluar fluturimi i juaj për arsye të mos marrjes së pagesës. Pagesën e kam bërë përmes agjencisë 'Edreams' online, mirëpo konfirmimi i pagesës më ka ardhur nga vet agjencia ‘Prishtina Jet’. Kam kontaktuar ‘Edreams’ po ashtu dhe me kanë informuar që pagesa është transferuar tek ‘Prishtina Jet’”, ka thënë ajo.

Në lidhje me këto akuza, Koha i ka shkruar edhe aviokompanisë, ‘Prishtina Jet’, por ata nuk kanë kthyer përgjigje.

Njëjtë nuk ka kthyer përgjigje as Policia e Kosovës në lidhje me mundësinë e denoncimit të kësaj çështjeje.


Reagimi i "Prishtina Jet"

20:51 - Pas publikimit në edicionin e lajmeve të mbrëmjes në KTV, “Prishtina Jet” ka dhënë përgjigje në pyetjet që ishin dërguar disa ditë më herët. Në përgjigjen e kësaj aviokompanie thuhet se anulimet e biletave s’kanë pasur të bëjnë me të si kompani, por për shkak të agjencive që shesin bileta online.

“Prishtina Jet, si njëra nga kompanitë më serioze të udhëtimeve në Kosovë, sqaron keqkuptimet dhe keqinformimet e shumta dhe tendencioze që janë bërë këto ditë lidhur me anulimin e disa biletave të fluturimeve për në Kosovë të blera online. Anulimet nuk kanë të bëjnë aspak me kompaninë, por kanë ndodhur për shkak të agjencive që shesin bileta online (Online Travel Agency – OTA) të ndryshme. Sistemi funksionon asisoj që një udhëtar e blen biletën nëpërmjet këtyre agjencioneve, pastaj agjencioni i transferon mjetet tek Prishtina Jet në periudha të caktuara kohore. Pa u bërë ky transferim i mjeteve, fluturimi nuk mund të konfirmohet. Në këtë rast, disa agjencione të shitjeve të biletave prej nga udhëtarët i kanë blerë biletat nuk e kanë bërë transferimin e këtyre mjeteve dhe rrjedhimisht konfirmimi i fluturimeve ka qenë i pamundur. Prishtina Jet ka reaguar menjëherë pasi ka marrë pyetje nga disa prej këtyre pasagjerëve që kanë kontaktuar për të vërtetuar fluturimet e blera duke u dërguar nga një e-mail secilit pasagjer për t’i njoftuar për këtë veprim të OTA-ve, duke i informuar gjithashtu se duhet të kërkojnë kompensim tek këto kompani ku kanë paguar pasi që nuk e kanë marrë shërbimin për të cilin kanë paguar”, ka thënë “Prishtina Jet”.

Image

Në reagimin e “Prishtina Jet” thuhet se kompania është në kontakt të vazhdueshëm me OTA-të dhe këta pasagjerë për ta sqaruar problemin. Kompania ka thënë se është e gatshme t’u ndihmojë klientëve për procedurat e kthimit të mjeteve.

“Blerja e biletave është bërë në OTA dhe këto OTA kanë përgjegjësi ekskluzive si ofruesi i shërbimeve për udhëtarët që të sqarojnë se përse nuk e kanë kryer obligimin e tyre financiar, pasi kanë pranuar pagesën nga konsumatorët. Prishtina Jet shpreh keqardhje për këtë ngjarje dhe është në kontakt të vazhdueshëm me OTA-të dhe këta pasagjer për të sqaruar problemin e shprehur pasi gjatë blerjes online OTA garantojnë kthimin e mjeteve nëse shërbimi nuk është realizuar. Prishtina Jet është kompani e cila ka realizuar me sukses me qindra fluturime gjerë me tani me çmimet më konkurruese në treg si dhe ka krijuar partneritet serioz dhe afatgjatë me kompani serioze dhe të besueshme si Malta Med Air dhe Air Malta që kanë mbi 47 vjet përvojë në fluturime duke operuar me aeroplan cilësor dhe me shërbim cilësor. Prishtina Jet shpreh gatishmëri për t’i ndihmuar klientëve të OTA-ve në procedurat e kthimit të mjeteve, të cilët janë të inkurajuar që të shkruajnë në info@prishtinajet.com”, thuhet në reagim.