Arbëri

Ibrahimi: Qeveria ka tendencë t’i përçajë kryetarët e komunave në baza politike

Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka thënë se Qeveria Kurti po ka tendencë për përçarjen e kryetarët të komunave në baza politike.

Ibrahimi këto deklarime i bëri teksa komente pse AKK-ja është larguar nga Komiteti për Menaxhimin e pandemisë për herë të dytë.

"Është hera e dytë që AKK largohet nga ky Komitet. Është një mekanizëm i rëndësishëm për komunat. Aty diskutohet të gjitha çështjet, jepen ide dhe Qeveria merr masa. Kemi qenë të përfshirë që nga viti 2020, por në Qeverinë Kurti II ishim në këtë Komitet, u larguam, na kthyen brenda ditës dhe na larguan prapë. Sipas ministrit Vitia, ka qenë lëshim teknik në herën e parë, por siç po shihet nuk ka qenë gabim teknik. Komunat kanë luajtur rol jashtëzakonisht të rëndësishëm. Ky kontribut është vlerësuar nga ish-kryeministrat edhe nga ish-ministrat. Në periudhën mars 2020-2021, komunat kanë rialokuar buxhetin për t’i dalë në ndihmë qytetarëve. Nuk po mundemi me gjet cili është problemi. Unë e ushtroj këtë detyrë që nga viti 2003. Nëse ka problem një ministër apo një zyrtar me Sazan Ibrahimin personalisht, atëherë le t’ia thonë Bordit, por nuk besoj. Tendenca është që dëshiron t’i përçajë kryetarët e komunave në baza politike. AKK-ja nuk është trup ekzekutiv, por është organizim vullnetar. Por kemi legjimitet nga kryetarët komunave, jemi të paraparë edhe në Ligjin për vetqeverisje lokale. Ne kemi kërkuar vetëm bashkëpunim”, ka thënë Ibrahimi në “Interaktiv” të KTV-së.

Ibrahimi tutje shton se nuk ka kuptim që amandamentimi i ligjeve për vetqeverisje lokale nuk mund të bëhet pa ta.

“Sidomos në amadamentimin e ligjeve për vetqeverisje lokale. Ne kemi kërkuar që ky proces të shtyhet derisa të kryhen zgjedhjen lokale. Nuk ka kuptim që një ligj për komunat të amandamentohet pa qenë kryetarët e komunave. Kryetarët e komunave janë të pakënaqur me këtë rrjedhë. Nuk kemi pasur asnjë reagim negativ nga asnjë kryetar i komunave. Kjo është si të bëhet hartimi i ligjit për qeveri pa Qeverinë. Edhe amandamentimi i Ligjit për vetqeverisje lokale nuk mund të bëhet pa kryetarët e komunave”, deklaroi ai.