Arbëri

Spahiu për “Listën e zezë” të SHBA-së: Indikacion se Bideni po fokusohet në Ballkan

Ish-ambasadori i parë i Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Avni Spahiu, ka thënë se, futja e disa personave apo kompanive në Ballkan, në “Listën e zezë” të SHBA-së është indikacion se administrata e presidentit Joe Biden po fokusohet në rajon.

Sipas Spahiut, njerëzit që futen në këtë listë janë ata që konsiderohet se po pengojnë zhvillimin e demokracisë, po minojnë paqen apo që janë zhytur në kriminalitet.

“Është diçka që nuk paraqet befasi sepse qysh në qershor të vitit të kaluar, Bideni rinkonfirmoi listën e ashtuquajtur si Lista e Zezë ku persona, kompani e shtete të ndryshme futen në këtë listë nga Departamenti i Thesarit. Kjo është bërë që nga viti 2001 dhe secili president e rikonfirmon atë listë me emra të shtuar apo të hequr. Kjo paraqet atë që paralajmëroi Bideni që do të ketë në listë njerëz që janë të njollosur në aspekte të ndryshme, rrezikimi i paqes, minimi i demokracisë e sidomos janë zhytur në kriminalitet. Është një çështje trans-nacionale. Ka disa kategori në këtë listë ku punon shteti amerikan, për të ruajtur interesat e veta në botë dhe për të identifikuar njerëzit që paraqesin rrezik për demokracinë. Një herë kjo listë ka qenë vetëm për vendet që nuk janë miqësore me SHBA-në si Kina, Koreja e Veriut, por më vonë janë futur edhe këto kategori të reja. Kohëve të fundit përcaktohen individ që paraqesin rrezik në mënyra të ndryshme. Duhet pritur që kjo listë do të vazhdojë edhe të ardhmen. Në një kohë relativisht pritet të ketë edhe emra të tjerë në Ballkan. Është një indikacion se administrata Biden do të fokusohet në rajonin e Ballkanit. Duke i identifikuar ata që pengojnë zhvillimin e demokracisë, paqes dhe në aspekte të tjera që pengojnë në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Spahiu në "DESKU" të KTV-së. 

Spahiu thotë se futja në “Listën e zezë” së fundmi të anëtarit të presidencës së Bosnjës, Milorad Dodik, nuk është vetme sanksion ekonomik, por edhe politik.

“Është konsideruar njeri i rrezikshëm për paqen në Bosnjë dhe në rajon. Nëse i shohim zhvillimet politike në Bosnjë, ka qenë Dodik ai që ka rrezikuar jo vetëm shtetin e Bosnjës, por edhe më gjerë, me kërcënimet e tij agresive ka paralajmëruar rrezik edhe për rajonin. Ky është një sanksionim i drejtpërdrejt jo vetëm ekonomik, por edhe politik. Kjo paraqet edhe politikën amerikane”, shtoi ai.

E për shpalljen “non grata” nga SHBA të grupit të Veselinoviqit në veri të Kosovës, Spahiu deklaron se ata nuk kanë qenë vetëm të zhytur në krim ekonomik, por kanë pasur lidhje edhe me politikën dhe kanë qenë të mbështetur nga Dodiku. 

“Janë të ndërlidhura sepse ka një lidhshmëri të pashkëputshme me politikën serbe. Në veri janë identifikuar disa persona që merren me vepra kriminale, por që kanë pasur lidhje me udhëheqjen e Serbisë, por edhe me Dodikun. Dodik ka paralajmëruar një mbështetje edhe për ta në veri të Kosovës. Këta janë të lidhur me politikën, nuk janë vetëm të zhytur në krimin ekonomik. Kanë sabotuar dhe shkaktuar probleme të mëdha në veri. Tani është SHBA që po i fajëson për këtë destabilizim. Mesazhi është që SHBA nuk do t’i mbyll sytë para bartësve të këtyre aktiviteteve dhe ata duhet t’i bartin pasojat. Nuk do të jenë të vetmit në këtë listë, por do të identifikohen edhe lidhjet e tyre me politikën”.

Spahiu theksoi se në listën e re pritet të ketë njerëz edhe nga “jeta jonë politike”.

Spahiu duke folur për futjen në listën e zezë të SHBA-së të ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berishës, ka thënë se veprimet e tij pas kësaj ngjarjeje kanë treguar papjekuri dhe se ka krijuar situatë jonormale.

“Kjo tregon një papjekuri të demokracisë sepse demokracia ka përgjegjësi konkrete dhe nëse ballafaqohesh me një gjë të tillë, gjëja e paktë është të japësh dorëheqje, të largohesh nga politika dhe të japësh sqarime për atë që të fajësojnë. Por jo të krijosh situatë krejtësisht jonormale për demokracinë duke shkaktuar probleme në jetën politike që për demokraci që janë në fazë të dobëta mund t’u kushtojë shumë”, ka thënë ai.

Ai nuk beson se mund të ketë pasur ndonjë gabim në rastin e Berishës nga SHBA-ja.

“Njeriu ka të drejtë ta mbrojë veten dhe të shfajësohet por të paditet një shet që ka një aparaturë aq të madhe të mbledhjes së informacioneve, është vështirë të paramendohet se mund të bëjë gabime të tilla”.

Spahiu foli për fokusin e presidentit amerikan Joe Biden për Ballkanin Perëndimor, për të cilin tha se do të pengojë ndikimin rus e kinez në rajon.

“Bideni ka vendosur të ketë një fokusim në Ballkanin Perëndimor jo vetëm për të mbrojtur Kosovën dhe vendet e rajonit por edhe për të penguar ndikimin ruso-kinez në rajon dhe për të evituar pengesat në ndërtimin e demokracisë dhe të luftojë ata që po shkaktojnë pasiguri”.


Spahiu: Veriu, një hapësirë plotësisht e pasigurt

Veriu është një hapësirë e hapur për ndikime dhe paraqet rrezik permanent në minimin dhe mospranimin e sovranitetit të shtetit tonë, ka thënë në “DESKU” të KTV-së, Avni Spahiu, ish-ambasadori i parë i Kosovës në SHBA.

Spahiu ka thënë se ndonëse është pritur shumë nga dialogu, në 11 vjetët e fundit të këtij procesi, nuk është bërë asgjë për veriun.

“Kemi shpresuar që kjo çështje do të zgjidhet përmes dialogut mirëpo sic kemi parë, në këto 11 vitet e fundit të dialogimit, nuk është bërë asgjë në atë drejtim dhe çështja ende qëndron në pikën zero”, ka thënë Spahiu.

Sipas tij, veriu është një hapësirë ku punohet vazhdimisht kundër shtetit të Kosovës.

“Është plotësisht një hapësirë e pasigurt, atje punohet vazhdimisht kundër shtetit të Kosovës dhe këtu nuk dua të fajësoj banorët që janë qytetarë të Kosovës, por ndikimet janë nga jashtë, sidomos drejtpërdrejtë nga shteti serb, i cili madje edhe në aspekte shumë të zakonshme, reagon që serbët të mos e pranojnë në asnjë formë shtetin dhe institucionet e Kosovës si dhe sovranitetin. Ne kemi probleme ta zëmë që 20 vjet me çështje banale të pagesave të rrymës, të shërbimeve komunale etj, dhe kjo vazhdon në të njëjtën mënyrë si para 20 vjetësh. Çdo përpjekje edhe në këtë aspekt nga shteti i Kosovës, merret si provokim nga shteti i Serbisë. Duhet të jemi më të zëshëm në mbrojtjen e sovranitetit tonë dhe të drejtave të Kosovës”, është shprehur Spahiu.