Arbëri

Personalitetet 2021/ Memli Krasniqi: Reformatori pa ritëm

Descriptive Text

PDK-ja e rraskapitur pas rezultatit të 14 shkurtit, shpresën për këndellje e mbështeti te një emër i ri që do ta nxirrte për kryetar. E, i pari dhe i vetmi që shpalli kandidaturën për t’u ngjitur në majë të “partisë së komandantëve” ishte Memli Krasniqi, dikur reper i “Ritmit të Rrugës”.

Ditën kur po kërkonte besimin për kreun e partisë me të madhe opozitare, Krasniqi para delegatëve foli se si PDK-ja duhet të reflektojë, t’i pranojë gabimet dhe nga to të mësojë. Premtoi reformë dhe rikthim të PDK-së në partinë me të fuqishme në vend.

Testin e parë e kaloi. Në zgjedhjet lokale, PDK-ja shënoi fitore në tetë komuna. E mbajti Ferizajn dhe fitoi dy komuna të mëdha – Prizrenin e Mitrovicën.

Por mungoi “ritmi” në reformë. Krasniqi nuk ka arritur ende të sjellë figura të reja, si dëshmi e nisjes së një ndryshimi domethënës në parti.

Ai vazhdon të mbështetet tek të vjetrit. Një nga njerëzit me të afërt të Hashim Thaçit, Vlora Çitaku, u bë nënkryetare e partisë. Nënkryetar u bë edhe Uran Ismaili, që dikur konsiderohej dorë e djathtë e Kadri Veselit. Nën drejtimin e Krasniqit, PDK-ja besimin për të udhëhequr komuna ua dha pikërisht politikanëve të gardës së vjetër. Madje, edhe njerëzve që kanë pasur probleme jo të vogla me ligjin, si Sami Lushtaku e Sokol Bashota, të cilët, megjithëkëtë, i ndali KQZ-ja në rrugën për t’u bërë kryetarë komunash.