Arbëri

Xhaferi: Ballkani i Hapur, i paplotë nëse nuk përfshihen Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja

Descriptive Text

Pa pjesëmarrjen e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor kryetari i Kuvendi të Maqedonisë, Talat Xhaferi, e konsideron të paplotë iniciativën “Ballkani i hapur”.

Ndonëse thotë se nisma ka të mirat e saj në aspektin ekonomik dhe social, ai thekson se politika është ajo që ia definon statusin kësaj nisme.

Kësisoj, raportet politike mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, sipas tij, po ndikojnë në mospajtueshmërinë për një nismë të tillë në të cilën gjenden Shqipëria, Maqedonia e Serbia, derisa mungojnë Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina.

“Nismat rajonale gjithsesi janë nisma fillestare të cilat duhet t’i hapin rrugë një bashkëpunimi më të ngushtë, por ai bashkëpunim duhet të jetë i plotë dhe supozoj e keni idenë rreth Ballkanit të Hapur si nismë nëse është pjesë e Procesit të Berlinit, për faktin se nga Procesi i Berlinit ka dalë ideja që në mikro-regjion të bëhet një bashkëpunim i propaguar, siç e propagojnë udhëheqësit e tre vendeve që aktualisht janë pjesë e asaj nisme, dhe ajo nuk do të jetë e plotë nëse nuk janë të gjithë të kyçur në atë nismë”, ka thwnw Xhaferi.

Kryekuvendari i Maqedonisë ka folur edhe për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë i cili, sipas tij, nuk bën të mbyllet pa një njohje reciproke mes të dyja vendeve.

“Nuk do mend që unë jam i bindur se ai proces kurdo qoftë të jetë duhet të përmbyllet me njohje të ndërsjellë në mes të dy shteteve tanimë, Republikës së Kosovës dhe Serbisë dhe gjithsesi që zgjidhja duhet të jetë e pranueshme për qytetarët, për faktin që interesi parësor është i qytetarëve, pastaj i institucioneve dhe shtetit si subjekt ndërkombëtar. Për ne është i pranueshëm çdo qëndrim dhe çdo vendim i cili është i pranueshëm ndërmjet dy vendeve diskutuese mes vete dhe dy popujve që e bëjnë përbërjen e dy shteteve, nuk kemi dilema për atë punë se të jetë favorizim kjo apo ajo çështje”, ka shtuar ai.

Kuvendi, të cilin e drejton Xhaferi, gjatë vitit 2021 ka arritur të përmbushë 70 për qind të agjendës legjislative, teksa Kosova ka miratuar vetëm 31 për qind të projektligjeve që kanë ardhur në Kuvend.