Arbëri

Vettingu, “vaksinë” kundër korrupsionit në drejtësi

Pa rezultate konkrete në ndjekjen dhe gjykimin e korrupsionit të profilit të lartë e kanë përmbyllur këtë vit institucionet e drejtësisë. Ky sektor me notë negative është vlerësuar edhe në fushat e tjera. Më 2021 u vranë vajza e gra, në disa raste nga recidivistë të cilët duhej të ishin në vuajtje të dënimit për vepra të kryera më herët. Vajza dhe gra edhe u dhunuan, e autorët morën dënime qesharake, madje me aktgjykime që në argumentim u përdor gjuhë seksiste. Qeveria e sheh vettingun shpresë për reformën e thellë të drejtësisë, i cili po shikohet me rezervë nga BE-ja e po kundërshtohet fuqishëm nga Këshilli Prokurorial dhe ai Gjyqësor

Gishtat e një dore janë boll për të numëruar dënimet në shkallën e parë të gjyqësorit për rastet e korrupsionit të profilit të lartë, në vitin 2021. E për aktgjykim dënues të formës së prerë nuk ka nevojë fare të numërohet – rastet janë zero.

Me pak aktakuza të reja, me disa hetime në proces, pandëshkueshmëria për të korruptuarit dhe korrupsionin si fenomen mbetet problemi kryesor që e shoqëron secilën hallkë të sistemit, e sidomos të ndjekjes e gjyqësisë.

Por nuk është vetëm korrupsioni që zuri vend në statistika e kritika publike gjatë vitit 2021. Dhuna në familje e sidomos ajo ndaj grave, shpërfaq po ashtu paaftësinë e institucioneve të drejtësisë.

Partia që fitoi mandatin për të drejtuar Qeverinë, ndër zotimet kryesore e kishte sundimin e ligjit dhe kthimin e besimit të qytetarëve në institucione. Vettingu u proklamua si instrumenti më efikas për ndryshimet në sistemin prokurorial dhe atë gjyqësor, por se ky proces u kundërshtua nga ata që do t’i nënshtroheshin atij. Skeptik ndaj tij u deklarua edhe Bashkimi Evropian.

Korrupsioni i paprekur

Muaji shkurt i vitit 2021 u përmbyll me aksionin policor, që shto këtu edhe veprimet e mëpasme, do të konsiderohet më masivi i vitit. Drejtoria e Krimeve Ekonomike, pas hetimit disamujor, në mëngjesin e 24 shkurtit nisi bastisjet në Ministrinë e Bujqësisë. Nga aty u nxorën zyrtarë të lartë të Agjencisë për Zhvillim të Bujqësisë, të cilët dyshohen për mashtrime me subvencione. Te shtëpia e njërit nga zyrtarët e arrestuar u gjetën afro gjysmë milioni euro para të gatshme.

Aksioni i shkurtit u shoqërua edhe me dy aksione të tjera, një në korrik e një në dhjetor. Për këtë rast, aktualisht 74 persona – zyrtarë dhe përfitues të subvencioneve, janë në paraburgim.

Aksioni “Subvencionet” tash mbetet në duart e drejtësisë, që ka dhënë pak prova për efikasitet në trajtimin e korrupsionit.

Një nga rastet që ende nuk i është konfirmuar aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale është dyshimi për keqpërdorim me Zonën Ekonomike të Malishevës, e ndërkohë ka të tjera raste që zvarriten, e edhe të tilla ku të akuzuarit “ia hedhin paç” drejtësisë.

Nga secila akuzë këtë vit u lirua ish-deputeti i PDK-së, Adem Grabovci. Ndonëse kishte vendim të formës se prerë, pas ankesës së të akuzuarit në Gjykatën Supreme, kjo instancë e ktheu sërish rastin për gjykim në Apel. Shkalla e Dytë vendosi në favor të Grabovcit.

Drejtësia u “shpreh” në favor edhe të ish-kryetarit të Lipjanit nga radhët e PDK-së, Shukri Buja. Gjykata Supreme e Kosovës pati njoftuar se më 17 mars ka aprovuar kërkesën e mbrojtjes së Bujës për mbrojtje të ligjshmërisë dhe rastin e ka kthyer në rigjykim në Apel. Buja ishte dënuar me burgim për korrupsion nga të dyja shkallët e Gjykatës. Por kthimi në rigjykim ishte bërë pak ditë para se të parashkruhej.

Më 29 mars të vitit 2021, 12 ditë pas vendimit të Supremes për rigjykim, është parashkruar edhe pika e fundit për të cilën akuzohej Buja. Ai ishte dënuar nga të dyja shkallët e Gjykatës për pikën 5 të aktakuzës, e që kishte të bënte me regjistrimin e pronave në emër të ndërmarrjes “Ferronikeli” në mungesë të dokumentacionit valid.

Ish-kryetari i Gjakovës, Pal Lekaj, në fillim të këtij vitit u dënua për korrupsion nga Gjykata Themelore, por Apeli rastin sërish e ktheu në rigjykim. Procesi është ende duke vazhduar.

Për korrupsion nga shkalla e parë u dënua edhe ish-kryetari i Istogut, Haki Rugova. Gjykata e Apelit e liroi atë nga secila akuzë, duke e shpallur të pafajshëm.

Kryetari i Klinës, Zenun Elezaj, është dënuar në dhjetorin e vitit 2021 për korrupsion. Vendimi ende nuk ka marrë aktgjykim të formës së prerë.

Ndërkohë, rastet e tjera gjyqësore që janë në proces tash e disa vjet mbetën pa epilog.

Në rastin “Toka”, që për personazh kryesor ka Azem Sylën, për me shumë se 12 muaj nuk u mbajt asnjë seancë.

Dështime të njëpasnjëshme pati në procesin gjyqësor për mashtrim me “viza italiane”, ku protagonist është Ukë Rugova. Dështuan po ashtu edhe shumë seanca në aferën e njohur si “Falja e hidrocentraleve” e në aferën “Stenta”.

Dhunimi i dyfishtë

Policia, prokuroria dhe gjykatat morën notë negative edhe për trajtimin e rasteve të dhunës në familje, e në veçanti dhunën ndaj grave.

Marigona Osmani ishte njëra nga viktimat. Ajo u vra në gusht të këtij viti dhe i akuzuari kryesor për krimin është partneri me të cilin bashkëjetonte. I akuzuari për organet e drejtësisë ishte i njohur si recidivist dhe që sipas praktikës gjyqësore ai do të duhej të ishte në vuajtje të dënimit.

“Personi në fjalë (D.K) është recidivist i veprave të ndryshme penale, si ‘vjedhje e rëndë’, ‘lëndim i lehtë trupor’, ‘kanosje’, ‘lëndim i rëndë trupor’ të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, ka thënë Prokuroria për të akuzuarin për vrasje.

Edhe të tjera histori dhune e trajtime që janë cilësuar joprofesionale janë regjistruar këtë vit.

Dhunuesi i një 15-vjeçareje ka pranuar fajësinë, por nga trupi gjykues në Pejë ai është dënuar me vetëm 8 muaj e 8 ditë burgim.

Një vajzë që denoncoi një rast dhunimi në Gjilan është përballë edhe me gjykim moral e gjuhë seksiste të trupit gjykues. Pa komentuar meritat e këtij rasti, aktgjykimi është vlerësuar si një nga me të papërshtatshmit për një gjykatë.

“Sepse e dëmtuara si femër e moshës 19 vjeçe në kohën kur ka ndodhur ngjarja lëndore me dëshirën e saj ka pranuar fillimisht që ditën kritike të udhëtojë me taksi me të akuzuarin e parë për në Gjilan, edhe pse e ka ditur se ai është i gjinisë mashkullore…”, thuhet, ndër të tjera, në aktgjykim.

Donjeta Pajaziti është vajza nga Strellci i Deçanit që u vra 6 vjet më parë. Në fund të vitit 2021, Gjykata e Apelit vendosi që i akuzuari për këtë vrasje “për shkak të shkeljeve procedurale” të gjykohej për të katërtën herë.

E para se të përmbyllet viti, një tjetër vrasje tronditëse ndodhi në Gllogjan të Deçanit. Nga të shtëna me armë zjarri në drejtim të një autobusi u vranë shoferi dhe dy nxënës që po ktheheshin nga shkolla.

Aktiviteti i shtuar i policisë nuk ul numrin e ankesave të qytetarëve

Një nga vendimet më të rëndësishme të Qeverisë Hoti e që nuk u zhbë nga Qeveria Kurti ishte përzgjedhja e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës. Më 13 janar Samedin Mehmeti u bë drejtor i këtij institucioni. Ai premtoi reforma në institucionin që po e merrte në udhëheqje.

Një nga departamentet më të kritikuara në këtë institucion ishte Policia e Krimeve Ekonomike, që drejtohej nga Nazim Sahiti, i cili ishte në thumb të kritikave të Vetëvendosjes opozitare. Sahiti u shkarkua, e në vend të tij erdhi Musli Salihu, një figurë jo shumë e njohur e Policisë deri në avancimin e tij në këtë pozitë.

Ndryshimet i prekën edhe drejtoritë e tjera.

Ish-drejtori i Departamentit të Operacioneve, Afrim Ahmeti, është larguar nga ajo pozitë, ndërsa tani udhëheqës i këtij departamenti është Gazmend Hoxhaj.

Ish-drejtori i Kufirit, Shaban Gudaj, është ndërruar me Ragip Bunjakun, i cili ende është ushtrues detyre në këtë departament. Drejtorinë e Hetimeve tani po e udhëheq Arben Paçarizi në vend të ish-drejtorit Riza Shillova. Ky i fundit është pozicionuar në Drejtorinë për Planifikim Strategjik, për të cilën drejtori thotë se është pozitë e rëndësishme.

Drejtori i Antidrogës në Policinë e Kosovës, Bahri Shala, është liruar nga kjo pozitë, të cilën e ka mbajtur për shumë vjet, e në vend të tij ka ardhur Reshat Murseli. Ndryshimi në këtë drejtori ndodhi, ndërsa Kosova është vendosur në hartën e vendeve transit të transportit të drogës.

Në Lipjan, në majin e vitit 2021, autoritetet italiane dhe ato të Shqipërisë kanë konfiskuar 400 kg kokainë, si dhe kanë sekuestruar të holla, vetura dhe gjëra të tjera. Por, historia e këtij aksioni të koordinuar nuk la pa përfshirë zyrtarët policorë. Për shkak të dyshimeve për lidhje me pronarin e kamionit që barti drogën, muaj me vonë do të suspendohej një zyrtar policor. Ani pse për rast tjetër, Arbresh Ajvazi, zyrtar i lartë i Policisë së Kosovës, kishte rënë në përgjime në kohën që ai po hetohej për transportin e 400 kilogramëve drogë. Ajvazi u suspendua e më vonë për këtë çështje u intervistua nga IPK-ja edhe Samedin Mehmeti, por në cilësinë e dëshmitarit.

Krahas ndryshimeve në hierarkinë e Policisë, gjatë vitit 2021 nuk kanë rreshtur ankesat e qytetarëve ndaj këtij institucioni. Madje dallimi nga viti paraprak është për afro 100 ankesa më shumë. Sipas të dhënave të Inspektoratit Policor të Kosovë, gjatë vitit të fundit janë parashtruar 1 mijë e 773 ankesa. E pas trajtimit të këtyre ankesave, 30 zyrtarë policorë janë arrestuar, 74 janë suspenduar, ndërsa gjashtë janë transferuar në stacione të tjera për shkak të dyshimeve për përfshirje në vepra penale.

Çkapja nëpërmjet verifikimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve

Ndonëse politika e drejtësia janë pushtete të ndara, në vitin 2021 u fol shumë për vettingun e prokurorëve dhe të gjyqtarëve. Ky ishte premtimi kryesor me të cilin erdhi në pushtet kryeministri Albin Kurti.

“Diskutimet lidhur me nevojën për reformë në drejtësi janë prapa nesh dhe tashmë nuk kemi dilemë se a duhet të ndodhin a po jo. Kjo reformë do të eliminojë mungesën e qasjes në drejtësi për qytetarët dhe do të garantojë rezultate cilësore dhe kthim të besimit të qytetarëve në drejtësi, sepse na duhen gjyqtarë të drejtë dhe efikas dhe prokurorë me integritet dhe energjikë”, ka deklaruar Kurti.

E një gjë të tillë, së bashku me premtimin për Ligj për konfiskim të pasurisë së fituar jashtëligjshëm, e premtoi edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

“Duke marrë parasysh se grupet parlamentare në Kuvend e kanë pasur edhe në fushatën zgjedhore vettingun në sistemin e drejtësisë, unë besoj që si qeveri do të marrim mbështetjen edhe të opozitës… planifikohet që i gjithë ky proces të nisë në vitin e ardhshëm dhe të përfundojë brenda periudhës pesëvjeçare”, ka bërë të ditur Haxhiu.

Përfaqësuesit e partive të tjera, jo që nuk i ofruan përkrahje, por shfaqën skepticizëm të hapur për atë se vettingu do të politizohej nga VV-ja.

Kundër doli edhe Bashkimi Evropian, me arsyetimin që vettingu është mjeti i fundit që do të duhej të përdorej, e publikisht nuk e mbështeti as Ligjin për konfiskim.

“Ne nuk e shohim vettingun si diçka që duhet të jetë gjëja e parë për të përmirësuar sistemin e drejtësisë. Vettingu është mjeti i fundit. Pra, nëse asgjë nuk funksionon, atëherë duhet të përdoret vettingu”, deklaroi shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.

Vettingut kundër i dolën edhe Këshilli Gjyqësor e edhe Këshilli Prokurorial.

E Ministria e Drejtësisë tash është në proces të ndryshimeve ligjore me të cilat do t’ua merrte mandatin anëtarëve aktualë. Fillimi i vitit të ardhëm jo vetëm që do të vendosë për fatin e këtyre nismave ligjore, por edhe atë se në duar të kujt do të jetë për 7 vjet institucioni më i rëndësishëm siç është Prokuroria e Shtetit, meqë kryeprokurorit aktual, Aleksandër Lumezi, i përfundon mandati brenda pak muajsh.

* Falas