Arbëri

“Dialogu i Hashimit”, kryetemë në të dielën me “Koha Ditore”

Paralajmërimet e presidentit Thaçi për ciklin e ri të bisedimeve Kosovë-Serbi, nën titullin “Dialogu i Hashimit” janë kryetemë e së dielës në “Koha Ditore”.

Për fillimin e negociatave të reja pa përfundimin e të vjetrave dhe përpjekjen e presidentit për të kryesuar procesin pa marrë mandatin nga Kuvendi dhe dallimet për dialogun mes tij dhe dy pretendentëve për kryeministër Haradinaj e Kurti, mund të lexoni në shkrimin kryesor për këtë temë.

“Koha e tij mbaroi...” është komenti i kryeredaktorit të gazetës, Agron Bajrami, për temën e së dielës.

Në intervistë, politologu Shkëlzen Gashi tregon se pse Thaçi e Vuçiqi mund të negociojnë vetëm për të pagjeturit.

Reportazhi i së dielës sjell rizbulimin e buzëqeshjes së grave të moshuara me themelimin e Shoqatës së Grave Pensioniste të Pejës.

Për përvojën e irakianes së zgjuar pas varrosjes për së gjalli dhe rrezikun e përmbytjes së qytetit të Venecias nga vërshimi i turistëve, lexuesit mund të mësojnë në faqet e botës.

Për fotografinë si ekuacion me zgjidhje intuitive lexoni 7 shkronjat Burim Myftiut.

“Tendenca jugosllave për gjenocid në Kosovë” është fejtoni i radhës për luftën e fundit në Kosovë.

Në kosovarçe vjen “Dashuria për shpejtësinë” e mekanikut nga Podujeva.

Nga kultura lexuesve u shërbehen shkrimet për artistin që e kërkon idealin human, dhe ai për “Sazet e Përmetit” si ambasadorë të traditës muzikore.

Monument sjell historinë 150 vjeçare e kullës unike të Çarshisë së Gjakovës.

“Një gol historik, por pa vlerë për skuadrën” dhe “Një akademi futbolli që nxjerr talente nga depoja” janë dy nga shumë shkrimet interesante nga sporti.

Këto dhe shkrime të tjera interesante nga kinematografia, shkenca, teknologjia, moda e shumëçka tjetër, mund të lexoni në 82 faqet e numrit të së dielës në “Kohën Ditore”.