Arbëri

“Ballkani i mbyllur”

Descriptive Text

Nisma rajonale për “Ballkanin e hapur” ka dështuar të finalizohet. Tre vjet nga zyrtarizimi, ajo numëron si anëtare vetëm shtetet themeluese, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë. Në takimet jo të pakta mes tri vendeve, krahas nënshkrimit të marrëveshjeve e memorandumeve, u shtruan kërkesat që asaj t’i bashkohen Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina. Institucionet e Kosovës kanë refuzuar të përfshihen me të me arsyen se ajo nuk mund të zëvendësojë Procesin e Berlinit, e edhe më keq është një shans për rritjen e ndikimit të Rusisë e të Kinës në rajon. “Ballkani i hapur” s’ka gjetur përkrahje as nga vendet e BE-së

Edi Rama, Aleksandar Vuçiq e Zoran Zaev, si iniciues të nismës “Mini-Shengeni Ballkanik”, që ndërkohë ndryshoi emrin në “Ballkani i hapur”, u takuan disa herë gjatë vitit 2021, e po aq herë “ushtruan” presion diplomatik mbi Kosovën për t’u bërë pjesë e saj. Qeveria Kurti nuk i dha bekimin kësaj nisme në emër të Kosovës. Pala e Kosovës, përveç refuzimit, ia zuri për të madhe Qeverisë së Shqipërisë që është futur në këtë projekt. Kjo shkaktoi përplasje mes Ramës e Kurtit, e për të pati debate edhe në forume të tjera ndërkombëtare.

Kryeministri i Shqipërisë është arsyetuar disa herë se mbështetja e tij për këtë projekt nuk është argument se ai punon kundër interesave të shtetit të Kosovës.

“Dhe nëse del dikush dhe thotë në këtë nismë ja ku është e keqja, ja ku është konspiracioni, ja ku është e fshehta, por me fakte, atëherë... Kjo është një nismë që i flet së ardhmes dhe që komunikon për të ardhmen”, ka arsyetuar Rama.

Kryeministri i Shqipërisë e akuzoi homologun e tij nga Kosova se kundërshtimin për pjesëmarrje në nismë e mbështeste në konspiracione.

“’Open Balkan’ është asgjë më shumë sesa mjeti i rajonit për të implementuar Procesin e Berlinit. Kush i vendos këto të dyja kundrejt njëra-tjetrës ose e bën me qëllim, ose nuk e kupton. Gjëja më e rëndësishme është që teoritë e konspiracionit që nismat janë të organizuara nga forcat e treta ose janë të hedhura këtu nga BE për të na gënjyer që ta bëjnë këtu një mini-BE që mos të na fusin në BE janë dokrra. Është e pabesueshme që Kosova nuk ë shfrytëzon këtë, por rri dhe bën teori të konspiracioni”, ka deklaruar ai në konferencën e përbashkët me Angela Merkelin, pas takimit që kancelarja gjermane pati me përfaqësuesit e gjashtë vendeve të Ballkanit. Kryeministri i Kosovës, po në këtë aktivitet vazhdonte të mbronte idenë e tij se për integrim në Bashkimin Evropian, rruga e vetme mbetet Procesi i Berlinit.

“Procesi i Berlinit është i nevojshëm, por edhe i mjaftueshëm për rrugëtimin evropian dhe nuk ka nevojë për variante të tjera. Ballkani jo që nuk është 3 shtete, por as 6 shtete, është së paku 12 shtete. Dallimi mes Procesit të Berlinit dhe “Ballkanit të hapur” është që në të dytën nuk e kemi BE-në. Republika e Kosovës është një shtet i pavarur për të cilin të gjithë ne duhet të angazhohemi pavarësisht pozitës që kemi e ta kërkojmë njohjen e saj e jo të presim mirëkuptim ndaj Serbisë për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës”, kishte deklaruar Kurti nga Tirana.

Kritika për refuzimin e Kosovës ka adresuar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Nëse për ju është nënvlerësuese që Kosova të vendoset me yll, vendoseni Serbinë me katror. Të mos gjejmë justifikime për mungesën e bashkëpunimit, të mos gjejmë justifikime që ekonomitë të mos punojnë, të mos gjejmë justifikime që njerëzit të mos punojnë. Nuk kam asnjë lloj ideje pse ata nuk marrin pjesë këtu”, ka deklaruar Vuçiq.

Ndryshe nga Rama e Vuçiq, kryeministri i Maqedonisë së Veriu, Zoran Zaev, ka thënë se është në dorën e institucioneve të Kosovës të vendosin nëse duan t’i bashkohen kësaj nisme. Ai më shumë ka folur për përfitimet, sidomos ato ekonomike nga kjo nismë.

“Së bashku po i ftojmë dhe i inkurajojmë kolegët tanë që të bashkohen për shkak të popujve tanë, të gjithë jemi në Ballkan, të gjithë jemi në Ballkanin Perëndimor dhe Evropian. Të krijojmë një vizion për zhvillimin real dhe për përfitime të të gjithë qytetarëve tanë”, ka theksuar Zaev.

Mirëpo Qeveria e Kosovës ka ngritur dyshimet se “Ballkani i hapur” krijon terren për interesat e Rusisë dhe Kinës në rajon.

“Ajo që nuk duhet të bëjmë është që t`u ikim përgjegjësive tona me veprime që në fund krijojnë edhe më shumë konfuzion mes nesh dhe u japin mundësi palëve të tjera që t`i shfrytëzojnë. Kështu është edhe ideja e Novi-Sadit, për atë që quhet mini-Shengen, ajo është një iniciativë që nuk ka vizion për rajonin dhe si të tillë Republikën e Kosovës e refuzon ashpër. Inkurajoj të gjithë të kthehemi në agjendën e BE-së dhe marrëdhëniet transatlantike. Pakënaqësia me BE-në nuk duhet të instrumentalizohet nga vendet të cilat nuk e duan NATO-n apo e mbështesin Federatën e Rusisë”, ka theksuar kryeministri Kurti, në njërin nga diskutimet për këtë çështje.

Vetë Kurti, në vend të kësaj ka propozuar nismë tjetër për bashkëpunim rajonal që e emëroi si “SEFTA”.

“Open Ballkani” kundërshtohet nga opozita në Kosovë dhe Shqipëri

Në linjë të njëjtë me Kurtin për “Ballkanin e hapur” janë deklaruar edhe përfaqësuesit e partive opozitare në Kosovë. Madje, qëndrimin e Kurtit e përkrahu edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pavarësisht se kur ishte në pushtet, partia e tij, në marrëveshjen e Washingtonit, kishte deklaruar se bëhet pjesë e “mini-Shengenit Ballkanik”. Abdixhiku ka thënë se vendi duhet të marrë pjesë në nisma rajonale kur pranohet si shtet i barabartë me të tjerë.

“’Open Balkan’ para se të jetë projekt ekonomik është megjithatë projekt politik. Përfitimet ekonomike bëhen të parëndësishme përballë mohimit politik serb - dhe këtë duhet ta kuptojë secili i përfshirë, sidomos kolegët tanë në Shqipëri. Qeveria e Kosovës duhet të flasë gjithsesi me Shqipërinë e Qeverinë shqiptare atje. Tensionimi i pakuptimtë i relacioneve tona - kryesisht për shkak të interferimeve të pamatura elektorale në këtë fillimvit nga kryeministri ynë - ka bërë që për herë të parë në historinë 30 e sa vjeçare, rrugët tona përballë Serbisë të jenë të ndara. Dhe kjo në vete është fatkeqësi. Kosova dhe Shqipëria duhet të kenë një mendim e një qëndrim”, është shprehur Abdixhiku.

Edhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj pajtohej me qëndrimet e ekzekutivit për mospjesëmarrje në “Ballkanin e hapur”.

“Ne i kemi pasur vërejtjet tona për këtë iniciativë, sepse Kosova ka qenë në pozitë jo të barabartë në nisje dhe unë mendoj që është mirë që kryeministri Kurti nuk i është bashkuar në këtë rast, për faktin se nuk jemi në pozitë të barabartë dhe nuk mund të shkojmë si të dytë në tavolinë”.

Ndryshe nga opozita në Kosovë që dilte në krah të kryeministrit Kurti, opozita e Shqipërisë kundërshtonte iniciativën e Edi Ramës. Në Parlamentin e Shqipërisë u mbajt edhe një interpelancë, ku deputetët e quajtën “Ballkanin e hapur” si Jugosllavi. “Këtu kërkohet një diskutim më i gjerë që do të duhet të bëhej përpara shpalljes së kësaj nisme "mini-Shengen" në Novi-Sad, që në të vërtetë tenton të shumojë iniciativat komunitare në rajon. Akoma më keq, kërkonte dhe kërkon zëvendësimin e tyre me një iniciativë të tillë me protagonist dhe garant Vuçiqin, me iniciativë që ju u bëtë mbështetës, zoti kryeministër”, është shprehur Tritan Shehu, deputet i PD-së.

Për BE-në, Procesi i Berlinit është i pazëvendësueshëm

Në të njëjtën kohë, “Ballkani i hapur” po konsiderohej nismë që konkurrencë i bën Procesit të Berlinit. Këtë e ka thënë emisari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak.

“Në këtë rast ‘Open Balkan’ nuk do të ishte një konkurrencë e shëndetshme. Ne tashmë kemi shumë nisma të ngjashme si CEFTA, ku nuk mungon pra shembulli për një format tjetër origjinal sikur këto. Çfarë është më e rëndësishme është që të matim aftësinë e këtyre formateve për ta afruar regjionin më afër me BE-në që të krijojmë standarde dhe norma evropiane”, ka vlerësuar Lajçak.

Të njëjtat qëndrime ndante edhe ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel, e cila gjatë vizitës në Tiranë deklaroi se i mbështet nismat rajonale, porse Procesi i Berlinit mbetet i pazëvendësueshëm.

“Kemi folur për nisjen e punimeve të Autostradës së Paqes. Një temë tjetër ishte që në momentin që vendet e këtij rajoni do bashkohen me ne, do të ketë vende që do të vendosen para detyrimeve për neutralitetin e klimës. Unë përshëndes në mënyrë shprehimore edhe projektin e tregut të përbashkët rajonal me 4 marrëveshjet, edhe pse jo të gjithë janë duke bashkëpunuar për implementimin e këtyre marrëveshjeve. Procesi i Berlinit nuk mund të zëvendësohet”, ka deklaruar Merkel.

Përveç mungesës së mbështetjes nga BE-ja dhe pamundësisë së shtrirjes së nismës edhe tek tri shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, projekti mori goditjen tjetër të radhës kur, njëri nga nismëtarët e saj, Zoran Zaev ofroi dorëheqje nga posti i kryeministrit të Maqedonisë Veriore. Madje, edhe pse dorëheqja e tij ishte ende deklarative, në takimin e radhës në Beograd, ai nuk mori pjesë. Në vend të tij, Maqedoninë e Veriut e përfaqësoi zëvendëskryeministri Nikolla Dimitrov. Në atë takim ai u shpreh optimist për vazhdimin e punës së pararendësit të tij.

“Bashkëpunimi rajonal është zgjedhje e guximshme, e duhur dhe evropiane. Në Maqedoninë e Veriut situata politike nuk është e lehtë, por megjithatë nuk mund t’ia lejojmë vetes të mungojmë në një iniciativë kaq të rëndësishme. Sa më mirë që bashkëpunojmë në rajon, do të mund t’i bindim të tjerët që nuk jemi rajon i problemeve, por që japim zgjidhje”, është shprehur Dimitrov.

Takimeve të nëntorit në nivel joformal në një rast iu bashkua edhe kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq. Por, ndonëse u pa në darkë me Vuçiqin, e një ditë më vonë edhe në takim zyrtar me të, Krivokapiq mohoi se Mali i Zi do të përfshihet në “Ballkanin e hapur”.

Marrëveshjet e dala nga “Open Ballkan”

Nismëtarët e “Ballkanit të hapur” kanë argumentuar disa herë dobitë e hapjes së kufijve, sidomos në zhvillimin e ekonomisë. Referuar memorandumit të nënshkruar në tetor të këtij viti, për lëvizjen e lirë të mallrave, kryeministri Rama ka thënë se kjo ka ndikuar në rritjen e eksporteve të Shqipërisë.

“Konkretisht Shqipëria ka 371 eksportues në Maqedoninë e Veriut dhe 165 eksportues në Serbi. E duke qenë se thelbi i këtij debati është Serbia, po jap edhe një të dhënë tjetër që mbase ndihmon në shtjellimin e idesë dhe ilustron nevojën e këtij mekanizmi. Nga 165 eksportues shqiptarë në Serbi, 57 prej tyre janë eksportues frutash dhe perimesh”, ishte shprehur Rama gjatë interpelancës në Kuvendin e Shqipërisë të thirrur për këtë temë.

Gjatë korrikut në Shkup ishte nënshkruar edhe një marrëveshje për mbrojtjen dhe shpëtimin nga katastrofat natyrore për Ballkanin Perëndimor. E ndërkohë edhe memorandumi për lëvizjen e lirë të qytetarëve nëpër të tria vendet.

Në samitin e radhës, që pritet të mbahet në Tiranë, tri vendet e “Open Ballkanit” e kanë një synim tjetër.

“Kemi pasur edhe mbështetje, duhet të fluturojmë se kemi mbetur pas vendeve të zhvilluara evropiane për të pasur një përmirësim të madh. Kemi vonesa të mëdha që do të përpiqemi t’i zgjidhim. Reciprociteti për blerjen e pasurive të paluajtshme është një ndër to dhe zoti e di se çfarë gjërash burokratike janë pjesë. Samiti i Tiranës do të mbahet pas Krishtlindjeve, datat 25-26 apo dhe 28 dhjetor, por kjo i takon Ramës ta vendosi. Do të nënshkruajmë memorandumin me lejet e punës. Unë jam më i dëshpëruari nga të gjithë kur nuk realizohen ato”, ka deklaruar presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq.

Pos tjerash, treshja Rama, Vuçiq e tash Dimitrov kanë rënë dakord që kontrollet kufitare ndërmjet Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë të hiqen nga 1 janari i vitit 2023.

Pavarësisht të gjitha këtyre marrëveshjeve e thirrjeve për bashkëpunim rajonal mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, “Open Ballkan” në vitin 2022 duket se llogaritë do t’i bëjë pa tri shtetet e tjera, Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnjë-Hercegovinën.

*Falas