Arbëri

Policët në detyrë gjatë festës, e konsiderojnë nder e privilegj shërbimin

Policia e Kosovës ka qenë në detyrë edhe gjatë kremtimeve për Vitin e Ri. Pjesëtarë të PK-së kanë bërë të ditur se gjatë festës i kanë shtuar kapacitetet, që gjithçka të shkojë në rregull e të mos ketë shumë incidente. Sipas një njoftimi, nata e djeshme ka kaluar pa ndonjë incident të madh.

Jo të gjithë e kanë mundësinë që natën e ndërrimit të moteve ta presin me familjen e tyre. Në kohë festash është Policia e Kosovës ajo e cila kujdeset që gjithçka të shkojë në rregull, kur është në pyetje siguria e qytetarëve.

Brenda Stacionit Qendër, në Komunën e Prishtinës, pjesëtarët policorë janë në gatishmëri që t’i përgjigjen secilës telefonatë që vjen në numrin e tyre.

Ata thonë se vit pas viti, qytetarët po vetëdijesohen dhe se po ndodhin më pak incidente.

Drejtori i Stacionit Policor “Qendra” në Prishtinë, majori Shkelzen Xhafa, tregon se kanë marrë të gjitha masat e nevojshme që në ndërrimin e moteve të ketë rend e siguri.

Sfida kryesore e vitit që shkoi, sipas tij, ka qenë pandemia COVID-19.

“Të them sinqerisht, është nder dhe privilegj që t’u shërbesh qytetarëve të Kosovës, sepse shërbimi ndaj qytetarëve të Kosovës është ajo që qytetarët presin prej nesh. Them gjithmonë, ne u shpjegojmë të gjithë qytetarëve që ne jemi pjesë e këtij populli, policia është populli dhe populli është policia, do të thotë kjo na bën me nder që të punojmë dhe t’u shërbejmë të gjithë qytetarëve”, ka thënë ai.

Nga Stacioni, ekipi i KOHËS doli t’i përcjellë patrullimet e Policisë në sheshet e kryeqytetit.

Edhe aty pati pjesëtarë të Policisë së Kosovës, të cilët angazhoheshin që të mos kishte asnjë incident që do ta cenonte sigurinë.

Qëndrimi larg familjeve në ditët festive thanë se nuk është edhe i lehtë, por që përveç angazhimeve shtesë që i kanë për shkak të festës, detyrat e tyre i kryejnë sikurse ditëve të tjera.

Udhëheqësi i stacionit policor “Qendra”, tha se shërbimi ndaj qytetarëve është nder.

“Ne e kemi zgjedhur profesionin si profesion fisnik për të qenë zyrtar policor nuk është e lehtë, mirëpo ne për këtë punë jemi të përgatitur dhe të stërvitur si psikikisht dhe fizikisht, dhe për neve kjo çështje konsiderohet shumë e thjeshtë. Jemi në shërbim të qytetarëve, kjo për neve është tejet e rëndësishme për arsye se deri më tani ka shkuar qetë dhe gjithçka në rregull, dhe për të shërbyer është nder dhe privilegj”, ka thënë togeri Zekeria Januzi.

Policia e Kosovës, nëpërmjet një njoftimi, ka bërë të ditur se festa e fundvitit ka kaluar pa ndonjë incident të madh.