Arbëri

Mbyllen dy diskoteka në Prishtinë, punonin në kundërshtim me ligjin anti-COVID

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në një aksion të përbashkët me Policinë e Kosovës për mbikëqyrje të masave anti-COVID, ka mbyllur dy klube nate gjatë mbrëmjes të së enjtes në Prishtinë.

Bëhet fjalë për njërën nga diskotekat që operonte në objektin e Hotel Grandit dhe një tjetër te Pallati i Rinisë, për të cilat, zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi, i ka thënë KOHËS se kanë zhvilluar aktivitet në kundërshtim me ligjin.

“Aty bashkërisht kanë intervenuar ekipet inspektuese bashkë me njësitë policore. Fillimisht janë zbrazur pastaj janë gjobitur dhe mbyllur”, ka deklaruar Thaçi.

Përveç këtyre dy klubeve të natës, më 30 dhjetor janë shqiptuar edhe tetë gjoba për lokalet e gastronomisë, të cilat nuk i kanë respektuar masat kundër COVID-19, sipas vendimit të fundit të Qeverisë.

Thaçi ka paralajmëruar se inspektimet me frekuencë të shtuar, do të vazhdojnë edhe gjatë mbrëmjes së sotme dhe në ditët në vazhdim.

“Të gjithë janë të obliguar të respektojnë vendimet e autoriteteve shtetërore. Ato kanë për qellim ruajtjen e shëndetit publikë. Organizimet me grumbullim të njerëzve janë të ndaluara, ku do qe hasen do të ndëshkohen dhe ndaj tyre do të ndërmerren veprime tjera ligjore”, ka thënë ai.

Në javën e fundit të muajit dhjetor, janë gjobitur 288 biznese për mosrespektim të masave anti-COVID, prej tyre 70 lokale.