Arbëri

Osmani viziton institucionet që kujdestarojnë në ndërrimin e motmoteve

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vizituar institucionet të cilat kujdestarojnë në ndërrimin e motmoteve.

Me rastin e festës së Vitit të Ri, Osmani ka zhvilluar një vizitë në Klinikën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, në Qendrën Operative Komunikuese Koordinuese, Stacionin Qendra të Policisë, si dhe Brigadën e Zjarrfikësve.

Në komunikatën e lëshuar nga Presidenca, thuhet se “në Klinikën Emergjente, Presidentja ishte e shoqëruar nga zëvëndësministrja e shëndetësisë, znj. Dafina Gexha. Në takim me drejtuesit dhe stafin, Presidentja Osmani ka uruar që gjatë kujdestarisë në ndërrimin e moteve të ketë sa më pak angazhim për ta, duke falënderuar të gjitha institucionet shëndetësore për punën që po bëjnë në menaxhimin e pandemisë. Ajo ka falënderuar gjithë stafin mjekësor që kujdestarojnë në natën e ndërrimit të motmoteve”, thuhet në kumtesë. “Në Qendrën Operative Komunikuese Koordinuese si dhe në Stacionin e policisë Qendra, Presidentja Osmani është shoqëruar nga ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla dhe drejtori i përgjithshëm i policisë, Samedin Mehmeti”.

Më tej bëhet e ditur se Osmani ka përgëzuar Policinë e Kosovës për angazhimin përgjatë këtij viti, duke potencuar posaçërisht punën e tyre për sigurinë e qytetarëve, por edhe ndihmën që kanë dhënë në menaxhimin e pandemisë.

“Ndërkaq në vizitë te Brigada e Zjarrfikësve, Presidentja ka vlerësuar angazhimin e tyre me shpresën se nata festive do ta kalojë pa pasur nevojë për ndërhyrjen e tyre”, thuhet më tej në komunikatë.

Në të tri institucionet, të cilat do të kujdestarojnë në ndërrimin e viteve, raportohet se Presidentja i ka uruar dhe i ka inkurajuar ata për punën që bëjnë për sigurinë qytetare në festat e fundvitit me urimin që viti 2022, do të jetë vit i sukseseve jo vetëm për ata, por për gjithë shtetin e Kosovës.