Arbëri

AUV-i paralajmëron inspektim gjatë natës së Vitit të Ri

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka paralajmëruar inspektim edhe gjatë natës së ndërrimit të motmoteve.

Zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi, i ka thënë KOHËS se asnjë formë e festimit që rrezikon shëndetin publik nuk është i tolerueshëm dhe si autoritete ligj-zbatuese mbikëqyrëse, do të veprojnë në secilin rast të shkeljeve në të cilat do të hasen gjatë kontrolleve.

“Edhe pse jemi në festa të fundvitit, gjithmonë duhet të kemi parasysh se gjendemi në situatë të rrezikut nga pandemia COVID-19. Asnjë formë e festimit që rrezikon shëndetin publik nuk është e tolerueshme. Shteti ka vendosur masat ashtu sikurse në shumicën e vendeve. Të tregojmë kulturë të lartë qytetare duke shprehur kujdesin për jetë dhe shëndet. Ne si autoritete ligje-zbatuese mbikëqyrëse kemi për detyrë të veprojmë në secilin raste të shkeljeve që hasen gjatë kontrolleve. Festoni dhe uroni duke mos e rrezikuar veten dhe të tjerët. Inspektorët do të jenë aktivë gjatë gjithë kohës”, ka thënë ai.

Thaçi më tej ka deklaruar se në javën e fundit të muajit dhjetor, janë gjobitur 288 biznese për mosrespektim të masave anti-COVID, prej tyre 70 lokale.

Sipas zëdhënësit të AUV-it, disa lokale janë mbyllur përkohësisht për shkak të pamundësisë së krijimit të kushteve për respektim të masave anti-COVID.

“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, bazuar nga të dhënat për situatën epidemiologjike në vend, ka shtuar frekuencën e kontrolleve për mbikëqyrje të zbatimit të masave në javën e fundit. Nga data 24 deri me 30 dhjetor janë bërë 2287 inspektime. Për shkelje të masave sipas vendimit të fundit të Qeverisë janë gjobitur 288 operatorë të biznesit prej tyre në 70 lokale për shkak të pamundësisë se krijimit të kushteve për respektim të masave. Janë larguar klientët para orarit të përfundimit të punës, dhe po ashtu janë mbyllur përkohësisht. Ndaj personave fizikë janë shqiptuar 12 gjoba”, ka deklaruar Thaçi.